HomeKryesoreSHBA-të pezullojnë dialogun strategjik me Kosovën, shkak veprimet e qeverisë

SHBA-të pezullojnë dialogun strategjik me Kosovën, shkak veprimet e qeverisë

spot_img

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.

Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Kosova dhe SHBA-të pritej ta finalizonin dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë.

Ambasada amerikane tha të premten se dialogu strategjik ishte menduar për të forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe kosovar.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo.

Ajo tha se SHBA-ja shpreson që këto përpjekje të vazhdojnë në të ardhmen, “kur kushtet të jenë të përshtatshme”.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike”

Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen në ditën kur autoritetet kosovare e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Ndërkohë, një ditë më herët, ato i morën nën kontroll e objektet në Graçanicë dhe Shtërpcë, ku ndodhej Posta e Serbisë, të cilat ishin mbyllur paraprakisht gjatë një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

Pasojat për Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë në detyrë kohëve të fundit veçse u paralajmëruan të premten më herët, nga e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë Kurti.

Ajo kishte thënë se SHBA-ja po e shqyrtonte përgjigjen e saj, duke shtuar “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”./REL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular