Policia e Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me gjetjen e një sasie eksplozivi në hotelin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Blutë bëjnë me dije se lëndë plasëse, e dyshuar artizanale, është gjetur në një nga vazot e luleve në hyrje të ish-hotelit të Dakos, i cili tashmë është jashtë funksionit.
Sasia e eksplozivit dyshohet se ishte lidhur me telefon celular, për t’u aktivizuar në distancë
Burime bëjnë me dije se sasia e eksplozivit dyshohet se ishte lidhur me telefon celular, për t’u aktivizuar në distancë.
Deri tani nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e lëndës shpërthyese, ndërsa grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
“Në lagjen nr. 1, Durrës, në hyrje të një ndërtese (ish-hotel, jashtë funksionit), në një nga vazot e luleve është gjetur një sasi e dyshuar lëndë plasëse, dyshohet artizanale. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Njësinë Antieksploziv të RENEA-s, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e llojit të lëndës së gjetur, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia.
Kujtojmë se Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe vartësit e tij, i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.
Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.
Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.
Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.