Me marrjen e detyrës për mandat të katërt, qeveria “Rama 4” ka vënë në plan të parë një sërë vendimesh që synojnë të adresojnë sfidat kryesore sociale dhe ekonomike të Shqipërisë.
Mes pritshmërive të qytetarëve për përmirësim të jetesës së përditshme, janë disa prej reformanve që priten të ndryshojnë disa fusha kyçe.
MBROJTJA E PRONËS
Në qendër të paketës së parë me vendime që po hartohen është mbrojtja e pronës dhe kontrolli i ndërtimeve pa leje. Këshilli i Ministrave synon të miratojë një ligj ose paketë ligjore që ndërhyn me instrumente të reja për të parandaluar ndërtimet jashtë normave, të mos lejojë deformime në projektet arkitektonike dhe të vendosë masa të forta kundër objekteve që shiten “në gropë”. Pra, me leje që nuk përputhen me realitetin e përfunduar të ndërtimit. Kjo masë vjen pas shqetësimeve të shumta për humbje investimesh, degradim mjedisor dhe pasiguritë ligjore për qytetarët që shfrytëzojnë pronat e tyre.
PAQJA FISKALE
Një tjetër masë që po trajtohet me prioritet është paqja fiskale për biznesin — një oksigjen i kërkuar prej kohësh nga sipërmarrësit që kanë mbledhur detyrime fiskale, kamata dhe penalitete ndër vite. Projektligji që pritet të miratohet do të përfshijë disa komponentë: tatim të përputhur me normën e zhvillimit ekonomik (pra, biznesi paguan tatim në përputhje me mesataren e rritjes ekonomike), një normë më e ulët për fitimet që tejkalojnë këtë mesatare, rishikim të pasqyrave financiare pesëvjeçare, dhe falje të detyrimeve të vjetra (interesave dhe kamatave) për ato që janë më të vjetra se 10 vjet. Shuma totale e këtyre detyrimeve, sipas vlerësimeve, arrin në rreth 1.6 miliardë euro. Kjo masë është parë si një mundësi për të rikthyer besimin e bizneseve dhe për të lehtësuar barrën financiare që ndikon edhe në punësim dhe investime.
PAGA MINIMALE
Paga minimale është gjithashtu në qendër të përmirësimeve: qeveria e re ka shpallur se nga 1 janari 2026 do të rritet paga minimale në 500 euro. Kjo është një rritje e konsiderueshme krahasuar me nivelin aktual prej 408 eurosh dhe pritet të sjellë një lehtësim të madh për punëtorët me të ardhura të ulëta.
PENSIONET
Në aspektin e mbrojtjes sociale, reforma e pensioneve është ndër vendimet që solli presion të madh publik. Qeveria do të përfshijë në ligjin e ri bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe synon që paga mesatare e pensionit të arrijë 400 euro ndërsa pensioni minimal 200 euro deri në fund të mandatit. Kjo masë reflekton përkushtimin për të reduktuar varfërinë mes të moshuarve dhe për të siguruar një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve publike.
BONUSI I BEBEVE
Një pikë tjetër që ka marrë vëmendje është bonus bebeve dhe mbështetja për lindshmërinë. Reforma parashikon se nga fillimi i vitit 2026, pagesa mujore për fëmijët nga 0 deri në 5 vjeç do të jetë jo thjesht një njëherëshe, por një kuotë mujore që ndryshon sipas numrit të fëmijëve Për fëmijën e parë parashikohet një mbështetje prej 5,000 lekë në muaj (ose rreth 60,000 lekë në vit), për fëmijën e dytë rreth 7,000 lekë në muaj, dhe për fëmijën e tretë ose të më shumë, 10,000 lekë në muaj. Kjo politikë synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve dhe të stimulojë rritjen natyrore, një problem që është bërë urgjent për shkak të plakjes dhe emigracionit të të rinjve.
Pra, me këto vendime të para: mbrojtje të pronës, paqe fiskale, rritje të pagës minimale, reforma e pensioneve dhe bonusi i bebeve, qeveria “Rama 4” synon të kryejë një nisje që të mos jetë vetëm politike, por që të sjellë ndryshim real në jetën e qytetarëve. Pritshmëritë janë të larta: njerëzit presin përmirësim të menjëhershëm të cilësisë së jetës, të ardhura më të qëndrueshme, dhe kushtet sociale që të jenë më të sigurta. Por fakti se disa vendime do të kenë efekt për mes afat (si pensionet, paga minimale dhe bonus bebeve), do të thotë se rezultati i plotë nuk do të shihet menjëherë dhe qytetarët do të jenë vëzhgues të kujdesshëm të implementimit.