HomeOP EDDiella, ministrja e parë botërore e krijuar nga AI (Inteligjenca Artificiale), apo...

Diella, ministrja e parë botërore e krijuar nga AI (Inteligjenca Artificiale), apo laboratori i Ramës për shuarjen e demokracisë? Nga Arian Galdini

spot_img

Nga Arian Galdini

Më 11 shtator 2025, në Tiranë, Kryeministri Edi Rama prezantoi një “ministre” pa trup dhe pa ndërgjegje, një algoritëm (program kompjuterik që merr vendime sipas një kodi) të quajtur Diella.

Emri u zgjodh si simbol i dritës, por përmbajtja është kod i mbyllur (software i programuar pa akses publik), i vendosur në hierarki qeveritare atje ku kushtetuta kërkon detyrim kushtetues dhe llogaridhënie njerëzore.

Nga ai çast, Shqipëria kthehet në laborator algokratik (qeverisje përmes algoritmeve), vendimmarrja zhvendoset nga qytetari te serveri (pajisja qendrore e ruajtjes së të dhënave), nga ligji te kodi, nga përgjegjësia publike te errësira digjitale.

Demokracia ka një parim themelor të panegociueshëm, përgjegjësinë njerëzore.

Ministri del para parlamentit, komisioneve, gjykatave, publikut, etj. Algoritmi jo.

Ai nuk ndëshkohet, nuk votëbesohet, nuk përballet me pasoja.

Pyetja është dramatike, kur një algoritëm shpallet “ministër”, kush mban përgjegjësi?

Programuesi (ai që shkruan kodin)?

Kontraktori (kompania që e zbaton)?

Kryeministri? Apo askush, që do të thotë mungesë totale detyrimi publik?

Digitalizimi (shndërrimi i proceseve në formë digjitale) nuk është neutral, është arkitekturë pushteti.

Dhe kur ndërtohet mbi institucione të brishta, ai nuk i forcon, i zëvendëson ato.

Prej një dekade, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë dokumentuar qindra milionë euro të humbura, inceneratorë të paguar e të papërfunduar; sterilizim kirurgjik me kosto 53% më të larta; check-up (kontroll shëndetësor rutinë) masiv me efektshmëri të kontestuar.

Nuk janë episode sporadike, por simptomë e një defekti sistemik, mungesë gare, mbivlerësim, klientelizëm, favoritizëm, paracaktim, kapje e prokurimit, etj.

Në të njëjtën periudhë, Transparency International (Organizata Ndërkombëtare për Transparencë) e renditi Shqipërinë në CPI 2024 (Corruption Perceptions Index – Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit) me 42/100, rritje e dobët prej 5 pikësh nga 2023, por ende ndër më të ulëtat në Europë.

Freedom House e klasifikon si “partly free” (pjesërisht e lirë), si demokraci hibride, me institucione të dobëta, media të kontrolluara, etj.

Në këtë terren, një avatar administrativ (figurë virtuale digjitale) nuk është reformë, por alibi.

Pa audit (kontroll të pavarur) dhe pa transparencë algoritmike, çdo premtim është thjesht një firewall i plasur (mjet sigurie kompjuterike i çarë) mbi mekanizmat e vjetër të korrupsionit.

Hannah Arendt paralajmëronte se e keqja banale lind kur njerëzit heqin dorë nga gjykimi personal.

Shoshana Zuboff tregon se surveillance capitalism (kapitalizmi i survejimit, modeli ekonomik që fiton nga të dhënat e individit) e kthen njeriun në lëndë të parë informacioni.

Byung-Chul Han shpjegon se “transparenca e detyruar” është maskë e kontrollit.

Kur gjykimi njerëzor dorëzohet te algoritmi, pushteti kalon te kodi, në fakt, te korporatat që e programojnë.

Sipas Qeverisë, teza zyrtare e argumentimit pse duhej Diella, është: “algoritmi eliminon favoritizmin.”

Por ne të gjithë e dimë antitezën empirike, pra prej përvojës, se algoritmet trashëgojnë dhe amplifikojnë paragjykimet e të dhënave dhe interesat e projektuesve.

Pa publikim kriteresh, pa testim paraprak për bias (njëanshmëri algoritmike), pa dokumentim vendimi, Diella nuk është asesi ministre, madje është një black box (kuti e zezë – sistem i mbyllur që nuk shpjegon proceset e brendshme) që ligjëron automatikisht atë që dje kryhej me zarf.

Korrupsioni i dorës këmbehet me korrupsionin e modelit, më i pastër në pamje, më i pakapshëm në thelb, më i rrezikshëm për konkurrencën dhe qytetarin.

Prokurimi publik është arteria e shtetit.

Në çdo vend normal, tri janë garancitë: konkurrenca reale, gjurmueshmëria, llogaridhënia.

Një model AI (Artificial Intelligence – Inteligjencë Artificiale) i mbyllur, pa kod të hapur (open source – kod i aksesueshëm nga të gjithë), pa interfece auditi (mjet teknik për kontroll) dhe pa bazë të dhënash publike, i shkel të treja.

Favoritizmi nuk zhduket: ri-futet si “optimizim teknik” (manipulim i justifikuar si përmirësim).

Pasojat janë të matshme, operatorët e rinj përjashtohen, çmimet rriten, kostoja publike rëndohet.

Një bias (njëanshmëri algoritmike) 25% mbi një portofol prej 1 miliard € në vit sjell një humbje potenciale prej 250 milion € në një mandat, dhe në logjikë rajonale (Ballkan), rreziku kumulativ arrin në ~750 milion € në 5 vjet.

Ndryshe nga një zyrtar i kapur në “audio” apo “letra” a “dëshmi”, algoritmi nuk lë gjurmë njerëzore.

Pa forcë ligji dhe pa mjete teknike për demontim, arteria e shtetit kthehet në venë të infektuar nga virusi algoritmik, që pompon helm korporativ në indin demokratik.

Ta quash “ministre” një entitet jo-njerëzor është propagandë e sofistikuar. Qeveria i jep Diellës një emër të butë, një avatar digjital (përfaqësim virtual), tone të programuara miqësore, dhe pastaj ia vesh narrativën: “ajo nuk korruptohet, nuk lodhet, nuk harron.” Por ky është teatër teknik.

Këtu hyn në lojë koncepti i trollitantit.

Trollitanti është figura e re politike e epokës digjitale: bashkimi i militantit partiak, patronazhistit dhe trollit virtual.

Aty ku dikur militanti shpërndante fletushka dhe brohoriste në miting, sot trollitanti shpërndan komente, manipulon algoritme dhe amplifikon propagandë.

Aty ku patronazhistët mbanin kartelat e lagjes, sot trollitantët mbajnë serverat e partisë. Ata nuk janë më individë me trup, por profile me avatarë, që kontrollojnë narrativën në hapësirën publike digjitale.

Diella është trollitantja supreme.

E veshur si “ministre”, ajo nuk ka funksion qeverisës, por funksion propagandistik.

Në vend që të hapë llogaridhënie, ajo e mbyll.

Në vend që të garantojë transparencë, ajo prodhon iluzion të menaxhuar.

Në vend që të nxisë debat, ajo ofron vetëm një seri përgjigjesh të paracaktuara, një FAQ (Frequently Asked Questions – Pyetje të bëra shpesh) sterile, që shmang thelbin dhe qetëson sipërfaqen.

Emri “Diella” është fasadë ndriçuese, por në thelb ajo është një golem digjital, një krijesë artificiale pa shpirt e gjallëruar me fjalën e Kryeministrit, që ushqehet me sovranitetin, privatësinë, liritë, të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve dhe nuk lë gjurmë.

Në këtë formë, ajo përfaqëson pikërisht transformimin e militantit fizik në trollitant virtual, një aparat që nuk lufton për ide, por që ushtron kontroll mbi perceptimin dhe ushqen propagandën si të ishte oksigjeni i vetëm i pushtetit.

Shqipëria: Estoni apo Kinë?

Digjitalizimi mund të bashkëjetojë me demokracinë dhe shembull është Estonia, me kod të audituar dhe vendime të verifikueshme nga qytetari.

Po ashtu mund të shndërrohet në kontroll total, shembull Kina, me sistemin e social credit (kredi sociale – pikëzim i sjelljes së qytetarëve) ku të drejtat zëvendësohen nga pikëzimi autoritar.

Estonia është venë e hapur digjitale që qarkullon deliberim (çlirim) qytetar.

Kina është arterie e bllokuar nga pikëzimi i sjelljes.

Shqipëria rrezikon të zgjedhë të dytën, duke e kthyer kushtetutën në një enë të zbrazët serverash.

Kjo bie ndesh edhe me frymën e GDPR-së (General Data Protection Regulation – Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave), pa DPIA (Data Protection Impact Assessment – Vlerësim i Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave), pa audit (kontroll) të pavarur, pa ex-ante bias testing (test paraprak i njëanshmërisë), çdo sistem vendimmarrës publik shkel standardet europiane për AI të besueshme.

Dhe rreziku është rajonal, një precedent që eksporton algokracinë në Ballkan, me humbje të pritshme ~750 milion € në tendera të kapur deri në 2030.

Pesë garanci për të shpëtuar demokracinë nga algoritmi.

Demokracia nuk mbrohet me slogane. Ajo kërkon themele ligjore, mekanizma teknikë dhe forume qytetare që ta ruajnë nga çdo deformim.

Përballë rrezikut që algoritmet të zëvendësojnë politikën dhe që avatarët të marrin rolin e ministrave, Shqipëria ka nevojë për pesë garanci të patjetërsueshme.

1. Ligji i Algoritmeve të Hapura

Asnjë vendim publik nuk mund të mbetet i fshehur pas një “black box”-i (kuti e mbyllur). Çdo algoritëm i përdorur në prokurim, drejtësi apo administratë duhet të jetë i hapur ndaj verifikimit.

Transparenca e modelit është themeli, qytetarët duhet të dinë mbi ç’kritere merret vendimi, si gjurmohet ai dhe kush mban përgjegjësi.

Log-vizibiliteti, pra gjurmueshmëria teknike e çdo hapi, është garancia që vendimi nuk është arbitrar, por i shpjegueshëm dhe i kontrollueshëm.

Dhe kjo nuk duhet lënë vetëm në dorë të qeverisë, por të hapet për auditim nga universitete, OJF dhe institucionet e BE-së. Vetëm kështu sigurohet se kodi nuk kthehet në mbulesë të korrupsionit.

2. Autoritet i Pavarur i Vlerësimit Algoritmik

Ashtu si kemi rregullatorë për energjinë, telekomunikacionin apo bankat, duhet një autoritet i pavarur që të mbikëqyrë algoritmet.

Ky institucion duhet të ketë mandat ligjor për të testuar bias-in (njëanshmërinë), për të verifikuar sigurinë, për të vendosur sanksione dhe madje edhe për të pezulluar përdorimin e një modeli kur ai shkel standardet.

Ky është gardiani i demokracisë digjitale, sepse vetëm një organ i pavarur mund të ruajë ekuilibrin mes pushtetit dhe qytetarit.

3. Këshilli i Agorave Digjitale

Demokracia nuk është vetëm çështje ligjesh, por edhe forumi ku qytetari flet.

Për këtë arsye, kërkohet një “agorë” e re, një këshill qytetar i përhershëm, ku të jenë juristë, inxhinierë, ekonomistë dhe vetë qytetarë të zakonshëm.

Ky këshill duhet të ketë të drejtë vetoje mbi çdo model algoritmik që prek të drejtat themelore.

Ky është rikthimi i qytetarit nga përdorues pasiv në sovran aktiv, vendimet nuk merren vetëm nga qeveria dhe kompanitë, por kalojnë nëpërmjet filtrit të arsyes kolektive.

4. Moratorium Kushtetues

Deri sa të ndërtohen garancitë ligjore, teknike dhe institucionale, duhet një ndalim kushtetues: asnjë “ministër” jo-njerëzor nuk mund të ushtrojë funksione ekzekutive. Kushtetuta është kontrata e qytetarëve me shtetin. Nëse ajo lejon që kodet të zëvendësojnë njerëzit, atëherë rrënohet vetë parimi i llogaridhënies. Moratoriumi është mburoja që mbron themelin e demokracisë deri sa garancitë të bëhen realitet.

5. Transparencë e plotë e kontratave

Algoritmi nuk ekziston në vakum; ai është produkt i kontratave mes qeverisë dhe kompanive. Këto kontrata nuk duhet të mbeten sekrete. Duhet të publikohen të gjitha: emrat e kompanive, kostot, të dhënat e përdorura, periudhat e trajnimit, nënkontraktorët dhe konfliktet e interesit.

Pa këtë transparencë, çdo premtim për teknologji të pastër mbetet fasadë.

Kur kontratat janë publike, qytetari fiton armën më të fortë: të drejtën për të ditur dhe për të gjykuar.

Këto pesë garanci janë si pesë shtylla mbi të cilat ndërtohet një demokraci digjitale e shëndetshme.

Pa to, Shqipëria nuk bën hap drejt së ardhmes, por rrëshqet drejt një versioni kinez të kontrollit, ku qytetarët humbasin sovranitetin, privatësinë dhe dinjitetin.

Me to, teknologjia mund të kthehet nga rrezik në mjet lirie, nga fasadë në themel.

Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik.

Ky vend i vogël, që përjetoi diktaturën më të gjatë të shekullit XX në Europë dhe tranzicionin më të gjatë të pas-komunizmit, rrezikon të hyjë në shekullin XXI jo si demokraci e plotë, por si laborator për shuarjen e demokracisë përmes algoritmeve.

Historia nuk fal kur një komb pranon të bëhet provë për eksperimente që as vendet e mëdha nuk guxojnë t’i testojnë mbi qytetarët e tyre.

Diella nuk është ministre.

Ajo është avatar i pushtetit, fasadë digjitale e ngritur mbi themele të kalbura.

Në vend të transparencës, ajo sjell iluzionin e transparencës.

Në vend të llogaridhënies, sjell një fasadë që e fsheh përgjegjësinë.

Në vend të qytetarit sovran, krijon përdorues të platformës, që klikojnë por nuk vendosin, që shohin por nuk gjykojnë, që konsumojnë por nuk sundojnë.

Ky është shndërrimi i demokracisë në aplikacion, i sovranitetit në “user account” (llogari përdoruesi), i lirisë në një dritare ekrani.

Demokracia nuk mbahet nga goleme digjitale me emra të bukur.

Nuk mbahet nga avatarë të bukur që flasin me zë sintetik.

Demokracia mbahet nga njerëz të gjallë, që dalin para publikut, që mbajnë përgjegjësi përballë ligjit, që japin llogari para qytetarëve.

Një komb jeton për aq kohë sa qytetarët e tij kanë dinjitet, sovranitet dhe fuqi për të vendosur mbi fatin e tyre.

Nëse këto i merr algoritmi, kombi shuhet pa pasur nevojë për tanke e përplasje, shuhet nga brenda, si një trup pa shpirt.

Shqipëria duhet të zgjedhë.

Dhe zgjedhja është binare, pa nuanca të mesme.

Ose qytetarë që mbajnë shtetin mbi shpatulla me lirinë, përgjegjësinë dhe gjakun e tyre politik, ose përdorues që ushqehen me iluzione digjitale, duke pranuar që qeverisja të kthehet në një teatër algoritmik.

Nëse pranohet kjo e dyta, nuk ka Diell që e ndriçon më këtë vend, vetëm ekrane që e verbojnë, kode e algoritme që ia marrin frymën, dhe vetëm fasada që e zhysin në errësirë.

Ky është momenti i fundit për të zgjedhur drejtimin. Ose Shqipëria bëhet shembull për botën, duke treguar se edhe një vend i vogël mund tu thotë jo fasadave digjitale dhe po demokracisë reale, ose do të mbetet në histori si vendi që pranoi të ishte koloni teknologjike, laborator i pushtetit pa shpirt.

Historia nuk do të gjykojë avatarët, por njerëzit.

Dhe gjykimi është i prerë, vetëm kombet që ruajnë lirinë e qytetarëve të tyre mbijetojnë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular