Autoritetet greke janë në alarm pasi Ministria e Zhvillimit Rural dhe Ushqimit e ka vënë vendin në “gatishmëri operacionale” për shkak të përhapjes masive të lisë së dhenve. Sipas “Kathimerini” kanë ngordhur 113 mijë kafshë në 2 muajt e fundit. Ministri Costas Tsiaras mbajti një takim me Guvernatorët Rajonalë ku shpalosi një plan prej 10 ditësh për përballimin e situatës.
Gjatë kësaj periudhe do të ketë kontrolle të shtuara në ferma si dhe do të krijohen menjëherë stacione dezinfektimi në rrugët qendrore dhe kalimet kryesore për lëvizjen e kafshëve të gjalla dhe lëvizjen e ushqimit dhe qumështit të kafshëve.
Ministri Tsiaras, sqaroi se kjo është një zoonozë që nuk është e lehtë për t’u përballur. Ai nënvizoi se nëse nuk do të forcohen tani masat, vendi mund të përballet edhe me një karantinë. Në rast të vendosjes së karantinës do të ndalohen të gjitha lëvizjet e deleve dhe dhive brenda territorit grek duke bërë që ato të mbahen në stalla.
Kjo do të thotë se nuk do të ketë as mish dhe qumësht në treg. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Bujqësisë, Blegtorisë dhe Çështjeve Rurale të Greqisë mbi 262 000 dele dhe dhi janë eliminuar për shkak të lisë vitin e kaluar, një numër që korrespondon me 3% të bagëtive.