Shqipëria do të nisë nesër, 16 shtator, hapjen e katër kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Politika e Transportit, Energjia, Rrjetet Trans-Evropiane dhe Mjedisi me Ndryshimet Klimatike.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare në Bruksel nis në orën 08:00 dhe do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.
Rama e ka cilësuar më herët një lajm të mirë dhe një rekord absolut shpejtësie në procesin e negociatave.
“Tjetër lajm i mirë, Shqipëria nuk ndalet. Të martën, datë 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-së na fton që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapim edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim, të cilët u shtohen 24 kapitujve që kemi hapur në vetëm 11 muaj, një rekord absolut për shpejtësinë e një procesi negociatash“, ka deklaruar kreu i qeverisë më 13 shtator.
Kryeministri Rama thekson se këto kapituj mbulojnë fusha të një rëndësie thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe për afrimin e mëtejshëm me standardet e Bashkimit Evropian.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE nisi zyrtarisht në korrik të vitit 2022 me Konferencën e parë Ndërqeveritare. Deri më sot janë mbajtur pesë konferenca të tjera, ku janë hapur kapituj të rëndësishëm që përfshijnë ekonominë, tregun e brendshëm, konkurrueshmërinë, arsimin, politikat sociale dhe marrëdhëniet e jashtme.
Takimi nesër pritet të përforcojë më tej rrugën e integrimit evropian, me synimin që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim brenda dekadës.







