Parashikimi i muralit të fundit të Banksy-t në gjykatën Mbretërore të Drejtësisë që paraqet një gjyqtar duke sulmuar një protestues, është një histori shumë shekullore e artit ku veprat janë censuruar ose ndryshuar.
Pamja që jep Banksy është brutale, një gjyqtar, me dorën lart dhe një armë të improvizuar, godet një njeri të shtrirë para tij. Por nuk po flasim për një pikturë të lashtë, është murali që Banksy realizoi më 7 shtator në murin e Gjykatës Mbretërore në Londër. Në mënyrë satirike, kjo vepër tregonte një gjyqtar anglez me paruke dhe rroba tradicionale, duke goditur një protestues të shtrirë me çekiçin e tij. Gjakderdhja në mural përhapej në pankartën bosh që mbante protestuesi, duke e kthyer atë në një mesazh. Vetëm tre ditë më vonë, autoritetet e fshinë pjesërisht muralin.

Por një skenë e ngjashme është realizuar që në shekullin XVI, një skulpturë nga Jean de Boulogne (i njohur si “Giambologna”), paraqet një skenë nga Bibla ku Samsoni vret një mijë njerëz me nofullën e një gomari.
Nëse vepra kontroverse e Banksy-t risjell në mendje precedentë kaq të fuqishëm nga historia e artit, po ashtu edhe mënyra se si u trajtua murali i tij është e ngjashme. Pothuajse menjëherë pasi vepra u zbulua në murin e ndërtesës së Mbretëreshës në kompleksin gjyqësor, ajo u mbulua me çarçafë të mëdhenj të zinj plastike dhe u rrethua me barriera çeliku dhe roje të Shërbimit të Gjykatave dhe Tribunaleve të Mbretërisë së Bashkuar. Jo vetëm që vepra e Banksy-t kujton imazhe të tilla të fuqishme nga arti i kaluar, por edhe mënyra si u trajtua është e ngjashme. Sapo u shfaq murali, autoritetet e mbuluan me plastmas të zi dhe e rrethuan me barriera dhe roje. Policia konfirmoi se vepra ishte raportuar si dëmtim prone, në bazë të Ligjit për Dëmtimin e Pronës së vitit 1971.

Fshirja e pjesshme e muralit, tani një hije gri që ka mbetur në mur nuk është rasti i parë kur një vepër arti censurohet sepse bie ndesh me ligjin. Historia e artit është plot me raste ku shprehja artistike është ndaluar ose fshehur. Që nga thyerja e ikonave në shekujt VIII dhe IX në Bizant, e deri tek shkatërrimi i muralit të Banksy-t, veprat e artit shpesh janë redaktuar ose censuruar nga autoritetet.

Një shembull tjetër i njohur është afresku madhështor i Michelangelo, Gjykimi i Fundit, që mbulon murin kryesor të Kapelës Sistine në Vatikan. I përfunduar në vitin 1541, ai paraqet njerëzit që ngjiten drejt parajsës ose bien në ferr, pas Ardhjes së Dytë të Krishtit. Edhe pse tema nuk është erotike, njerëzit e zhveshur në afresk u konsideruan të papërshtatshëm nga Këshilli i Trentit në vitin 1563, i cili ndaloi artin që mund të shkaktojë dëshira seksuale.
Që në fillim, shumë njerëz e kritikuan afreskun për zhveshje në një vend të shenjtë. Sidomos u vu re një skenë ku Shën Katerina e Aleksandrisë duket sikur lëviz në mënyrë provokuese përpara Shën Blazit, i cili qëndron shumë afër saj.

Për të zbatuar rregullat e reja, autoritetet punësuan artistin italian Daniele da Volterra që të mbulonte trupat me veshje. Kjo i dha atij nofkën “Il Braghettone“, që do të thotë “bërësi i brekëve“. Megjithëse restauruesit në vitet 1980 dhe 1990 hoqën disa nga ndryshimet e mëvonshme, pjesa më e madhe e mbulimeve të tij ende qëndron sot.
Në krahasim me të tjera, vepra e Michelangelo u kursye. Në vitin 1566, gjatë një lëvizjeje protestante, ikonoklastët shkatërruan shumë vepra arti në Belgjikë, përfshirë një në altarin e madh të piktorit Frans Floris. Piktura e tij Rënia e Engjëjve Rebelë paraqiste një shenjt që dëbon demonë. Por për shkak se u pa si shkelje e ligjeve kundër idhujtarisë, dy pjesët anësore të veprës u shkatërruan dhe vetëm pjesa qendrore u ruajt. Kur katolikët u kthyen në pushtet pas 20 vitesh, kjo pjesë u rivendos si simbol i qëndrueshmërisë së artit.
Fshirje me ndikim të madh
Jo të gjitha veprat që u gjykuan si të paligjshme u shkatërruan përfundimisht. Në vitin 1815, dy pikturat e famshme të Francisco de Goya-s që tregojnë të njëjtën grua të shtrirë në poza të ngjashme, në njërën nudo dhe në tjetrën të veshur, u konfiskuan nga Inkuizicioni dhe u mbajtën për dekada të mbyllura. Por asnjëra nuk u dëmtua. Ato quhen Dy Majat dhe janë revolucionare për kohën sepse tregojnë një grua të gjallë, të kohës, që sheh drejt shikuesit pa qenë e lidhur me ndonjë mit apo histori fetare.
Pasi pronari i tyre, kryeministri spanjoll Manuel Godoy, u rrëzua nga pushteti në vitin 1808, nisi një hetim për pikturat. Ato u konsideruan të papërshtatshme për shkak të lakuriqësisë. Goya u thirr për të dhënë shpjegime, por nuk ka mbetur ndonjë dëshmi nga mbrojtja e tij. Ai nuk u ndëshkua, por pikturat e tij u mbajtën të fshehura deri më 1836 dhe më pas u ekspozuan në Muzeun Prado në vitin 1901.

Ndryshe nga Goya, jo të gjithë artistët e shekullit XIX patën kaq fat. Ndërkohë që Dy Majat prisnin të liroheshin, artisti francez Honore Daumier u vu nën hetim për një litografi që sulmonte mbretin. Vepra Gargantua, botuar në revistën satirike La Caricature, tregonte mbretin Louis Philippe si një gjigand që përpinte pasurinë e njerëzve të varfër. Qeveria u zemërua dhe reagoi menjëherë.
Daumier u arrestua dhe u dënua me 6 muaj burg për nxitje urrejtjeje ndaj mbretit. Pllaka litografike me të cilën ishte shtypur vepra u shkatërrua që të mos mund të shtypej më. Por disa kopje të para mbijetuan dhe u qarkulluan fshehurazi në versione të tjera.

A do të përballet edhe Banksy me ndonjë ndjekje ligjore nga qeveria britanike për muralin e tij të fshirë? Apo pikërisht për shkak të fshirjes së tij, kjo vepër do të mbetet më e paharrueshme në kulturën popullore? Kjo do të shihet në të ardhmen.
Sepse ndonjëherë, ajo që mungon, është më e fortë dhe më e qëndrueshme sesa ajo që shihet.