Owen Cooper, ylli i serialit dramatik britanik “Adoleshenca”, ka hyrë në histori si fituesi më i ri i çmimit Emmy në kategorinë “Aktori më i mirë”.
Vetëm 15 vjeç, Cooper portretizoi Jamie Miller në serinë shumë të vlerësuar nga kritika, e cila triumfoi në disa prej kategorive kryesore të çmimeve, duke përfshirë edhe çmime për bashkëaktorët e tij Stephen Graham dhe Erin Doherty, si dhe për regjisorin Philip Barantini.
Adolescence, që më herët këtë vit dominoi listat e më të shikuarave në Netflix, rrëfen historinë e një 13-vjeçari të arrestuar për vrasjen e një shoku klase. Seriali është përshëndetur jo vetëm për tematikën e ndjeshme që trajton, por edhe për realizimin teknik të veçantë – çdo episod është xhiruar në një plan të vetëm pa ndërprerje.
Cooper, i cili ishte vetëm 14 vjeç gjatë xhirimeve dhe nuk kishte aktruar kurrë më parë, arriti të lërë pas emra të mëdhenj të industrisë si Javier Bardem (Monsters: The Lyle And Erik Menendez Story), Peter Sarsgaard (Presumed Innocent), si dhe bashkëaktorin e tij nga Adolescence, Ashley Walters.
Në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, Cooper tha:
“Para tre vitesh nuk isha askush.”
Duke folur përpara publikut në Los Anxhelos, ai shtoi:
“Është e pabesueshme. Kur nisa klasat e dramës disa vite më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të isha në Shtetet e Bashkuara, e aq më pak në këtë skenë.”
“Mendoj se kjo natë dëshmon që, nëse dëgjon, fokusohet dhe del nga zona jote e rehatisë, mund të arrish gjithçka në jetë.”