Një anestezist i martuar kreu marrëdhënie seksuale me një infermiere në një sallë operacioni në Spitalin “Tameside” në Mançester të Britanisë së Madhe duke e lënë pacientin nën efektin e anestezisë. Dr. Suhail Anjum, 44 vjeç dhe infermierja u panë nga një kolege e cila hyri papritmas në dhomë. Sipas raportimeve, anestezisti i kishte kërkuar një infermieri tjetër të mbikëqyrte pacientin gjatë operacionit, në mënyrë që të mund të bënte një pushim. Në vend të kësaj, Dr. Anjoum shkoi në një sallë tjetër operacioni, ku pati marrëdhënie seksuale me infermieren.
Zëdhënësi i Këshillit të Përgjithshëm Mjekësor, Andrew Molloy tha se Dr. Anjoum ishte anestezisti për 5 raste në sallën 5 më 16 shtator 2023 dhe u largua gjatë operacionit të tretë. Pak më vonë, një infermiere hyri në sallën 8 dhe “e gjeti Dr. Anjoum dhe infermieren në një pozicion të sikletshëm”.
“Ajo tha se e pa kolegen e saj me pantallonat deri në gjunjë dhe të brendshmet e zbuluara, ndërsa Dr. Anjoum po lidhte kordonin e pantallonave. Infermierja u trondit dhe doli menjëherë nga dhoma. Dr. Anjoum u kthye në dhomën 5 pas afërsisht 8 minutash. Është thelbësore të thuhet se nuk pati dëm për pacientin gjatë mungesës së mjekut dhe operacioni vazhdoi pa incidente të mëtejshme”, tha zëdhënësi.
Sigurisht, infermierja ia raportoi incidentin menaxherit të saj. Para se Gjykata e Lartë e Mjekësisë të hapte çështjen, Dr. Anjum nuk i kundërshtoi faktet dhe pranoi se kishte pasur aktivitet seksual me infermieren. Ai gjithashtu pranoi se veprimet e tij kishin potencialin të rrezikonin pacientin.
Dr. Anjum i tha Shërbimit të Tribunalit Disiplinor Mjekësor se ai u largua nga Spitali Tameside në shkurt 2024 dhe u kthye në Pakistan. Megjithatë, ai theksoi se donte të vazhdonte karrierën e tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke u zotuar se nuk do të kishte përsëritje të “gabimit fatal të gjykimit”.
Dr. Anjum tha se incidenti ndodhi në një “kohë stresuese” për familjen e tij, pas lindjes së fëmijës së tij më të vogël në janar 2023. “Vajza jonë lindi para kohe, me një peshë shumë të ulët lindjeje. Gruaja ime pati një lindje shumë traumatike. Ishte një përvojë stresuese. Ne nuk ishim në gjendje të lidheshim si çift gjatë asaj kohe. Kjo ndikoi në jetën time personale, shëndetin tim mendor dhe punën time në spital” – tha ai.