HomeOP EDAnaliza e REL: A munden vendet e NATO-s ta ndalin blerjen e...

Analiza e REL: A munden vendet e NATO-s ta ndalin blerjen e naftës ruse siç u kërkon Donald Trump?

spot_img

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se vendet e NATO-s duhet ta ndalin blerjen e naftë ruse, nëse duan që Uashingtoni t’i ashpërsojë sanksionet kundër Moskës. Megjithatë, arritja e këtij qëllimi mund të marrë kohë dhe mund të jetë e vështirë.

Tani, vetëm tri vende të NATO-s importojnë naftë të papërpunuar ruse: Hungaria, Sllovakia dhe Turqia. Nga këto, Turqia është më e madhja.

“Sipas të dhënave tona, [Turqia] është importuesi i tretë më i madh i naftës ruse në botë”, tha për Radion Evropa e Lirë Petras Kanitas, analist me bazë në Vilnius pranë Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA).

“Turqia e blen naftën ruse kryesisht sepse ajo shitet me zbritje të madhe”, shtoi ai.

“Ata gjithashtu përfitojnë duke rafinuar naftën e papërpunuar ruse dhe duke shitur produktet e përpunuara në Evropë”, shpjegoi ai.

Ka kohë të gjatë që Trumpi flet për tarifa dytësore ndaj vendeve që importojnë naftë ruse dhe tashmë i ka shpallur ato kundër Indisë. Në një postim më 13 shtator në Truth Social, ai u bëri thirrje “të gjitha vendeve të NATO-s” t’i ndalin këto importe.

“Deri tani, kërcënimet e Trump kanë qenë kryesisht të drejtuara ndaj Indisë dhe, në deri diku ndaj Kinës. Turqia nuk ka qenë pjesë e kësaj loje. Kështu që, ky është një zhvillim i ri interesant”, tha Benjamin Hilgenstock, ekonomist në Institutin KSE me bazë në Kiev.

Synimi është të goditet ekonomia ruse duke ia ndalur një nga eksportet kryesore dhe duke e detyruar Kremlinin të futet në bisedime përnjëmend për t’i dhënë fund luftës së nisur kundër Ukrainës në vitin 2022.

Hilgenstock tha se humbja e eksporteve drejt Turqisë do të ishte problem i madh për Moskën.

“Me shumë gjasa do të duhej të ofronin zbritje më të mëdha për blerësit e tjerë, në mënyrë që të ridrejtonin këtë sasi”, tha ai.

Por, oreksi i Turqisë për naftën ruse lidhet me faktorë ekonomikë të fuqishëm që Ankaraja nuk do t’i shpërfillë lehtë. Disa nga rafineritë e saj marrin deri në 90 për qind të naftës së papërpunuar nga Rusia; ndërrimi i burimeve nuk mund të ndodhë brenda natës. Turqia është gjithashtu, ndryshe nga India dhe Kina, importues i madh i produkteve të rafinuara ruse.

“Natyrisht, për Turqinë [ndalimi i importeve] do të jetë sfidë, ashtu siç do të ishte për Hungarinë dhe Republikën Sllovake, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për t’i diversifikuar furnizimet e tyre”, tha Hilgenstock.

Përveç aspektit ekonomik, edhe politika e bën më të ndërlikuar shtyrjen e Turqisë drejt ndërprerjes së furnizimeve ruse. Meqenëse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, ajo nuk përballet me të njëjtat presione si Hungaria apo Sllovakia.

Hungaria dhe Sllovakia

Si Budapesti, ashtu edhe Bratislava kanë thënë në mënyrë të përsëritur se varen nga nafta ruse përmes tubacionit Druzhba.

Në gusht, kur sulmet ajrore ukrainase e nxorën atë disa herë jashtë funksionit, ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijarto tha: “Nëse furnizimet përmes tubacionit Druzhba bëhen të pamundura për një kohë të gjatë, atëherë edhe furnizimi me naftë për Hungarinë dhe Sllovakinë do të bëhet i pamundur”.

Megjithatë, BE-ja e ka bërë synim të vetin të heqë dorë plotësisht nga importet e energjisë ruse deri në vitin 2027, duke përdorur rregullat e tregut të brendshëm, që do të thotë se vendimi nuk mund të bllokohet nga Hungaria apo Sllovakia.

Analistët thonë se të dyja vendet mund të importojnë naftë përmes tubacionit Adria, që kalon nëpër Kroaci.

“Diversifikimi nuk është problem i pazgjidhshëm teknik, por çështje vullneti politik dhe ekonomik”, tha për REL-in Tamas Pletser, analist për naftën dhe gazin pranë Erste Bank.

“Kjo do ta bënte karburantin më të shtrenjtë, por përderisa ka treg të lirë, nuk do të ketë mungesa”, shtoi ai.

Analisti i CREA-s, Kanitas, kujtoi se më herët këtë vit, Republika Çeke ia doli të shkëputej plotësisht nga furnizimet me naftë ruse – një zotim që e bëri menjëherë pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

“Ata e mbajtën premtimin”, tha ai, por shtoi se kryeministri hungarez, Viktor Orban, “ka marrëdhënie të mira me presidentin Trump. Do të thosha se mund të ketë një lloj përjashtimi apo diçka e tillë”.

Tarifat Dytësore

Trumpi bëri gjithashtu thirrje që vendet e NATO-s të shqyrtojnë vendosjen e tarifave prej 50–100 për qind ndaj Kinës për ta ndëshkuar për mbështetjen e saj ndaj makinës së luftës së Rusisë.

Kjo thirrje vjen ndërkohë që Uashingtoni vetë është i përfshirë në një përplasje të tensionuar tregtare me Kinën.

Trump e ka shtyrë disa herë afatin e tij që Kina të pranojë kushte të reja tregtare, përndryshe do të përballet me tarifa të reja masive, pasi Pekini nuk ka treguar gatishmëri për të lëshuar pe.

Deklarata e Trumpit u mbështet nga senatori republikan Lindsay Graham, i cili ka shtyrë përpara legjislacion për tarifa të mëdha dytësore për të goditur partnerët tregtarë të Rusisë.

“Është koha që evropianët të ndjekin shembullin e presidentit Trump dhe të veprojnë kundër Kinës dhe Indisë”, tha ai për programin “Meet The Press” të NBC.

“Kina dhe India do të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Putinit. Kjo luftë do të përfundojë”, shtoi ai.

Por, meqë Evropa ka pranuar rritje të theksuara tarifash si çmim për të bërë biznes me Uashingtonin, ajo ka edhe më shumë nevojë të mbajë gjallë tregtinë me Kinën.

Më 15 shtator, Ministria e Jashtme në Pekin paralajmëroi “kundërmasa të forta” nëse vendet e NATO-s “e godasin Kinën me tarifa.”

Asnjë udhëheqës evropian nuk ka sugjeruar rritje tarifash deri tani. Po ashtu nuk pati shenja të menjëhershme për t’i ndërprerë importet e naftës.

Hilgenstock tha se për të ndodhur diçka e tillë, Trump mund të duhet të ndërhyjë personalisht me liderët e Hungarisë, Sllovakisë dhe Turqisë.

“Kjo është realisht një bisedë që Trump duhet ta ketë me miqtë e tij, [Viktor] Orban, [Robert] Fico dhe [Recep Tayyip] Erdogan”, theksoi ai./REL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular