Këshilli i Ministrave ka miratuar me udhëzim të posaçëm koston mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për vitin 2025, i cila ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Sipas udhëzimit, kostoja mesatare në nivel republike është përcaktuar në 56 491 lekë për metër katror sipërfaqe shfrytëzimi. Për qytetet, çmimet specifike do të jenë sipas tabelës përkatëse që shoqëron udhëzimin. Në rastet kur një qytet nuk ka të dhëna të veçanta, do të përdoret kostoja e qytetit më të afërt.
Nëse çmimet e ndërtimit ndryshojnë në manualin e integruar të çmimeve (përmes portalit “e-Albania”), ato do të kenë përparësi ndaj kostos mesatare të përcaktuar në këtë udhëzim.
Zbatimi i udhëzimit i ngarkohet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Entit Kombëtar të Banesave dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Nga tabela e kostos mesatare të ndërtimit, Saranda ka koston më të lartë në shkallë kombëtare, me 57,857 lekë/m² për sipërfaqe shfrytëzimi dhe 49,253 lekë/m² për ndërtim.
Qarku i Jugut (Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Sarandë, Vlorë) dominojnë listën e çmimeve më të larta, duke reflektuar kërkesën e shtuar dhe kostot më të shtrenjta të ndërtimit.
Kukësi dhe Tropoja në veri gjithashtu shfaqen me kosto shumë të larta, mbi 57,700 lekë/m², çka tregon sfida logjistike dhe infrastrukturore për ndërtimin në këto zona.
Ndërkohë, qytetet me kosto më të ulët janë Lushnja dhe Fieri, me rreth 54,112 lekë/m² për shfrytëzim dhe 46,075 lekë/m² për ndërtim.
