Nga Bujar Leskaj
Qeveria katërt e sektit Rama po vjen gjoja me premtimin për të konsoliduar reformat, për të përshpejtuar integrimin evropian dhe për të forcuar ekonominë kombëtare. Në të vërtetë, ende pa nisur ditën e saj të parë të punës, sinjalet nga pritshmëritë zero të qytetarëve tregojnë se kjo qeveri do të përballet me një dështim të paralajmëruar. Faktorët janë të shumtë: nga lodhja politike e sektit ne qeverisje, tek kriza e besueshmërisë publike dhe ngërçi institucional në disa sektorë kyçë të ekonomisë dhe shoqërisë sonë.
I. Rama 4 me zero energji reformuese
Pas më shumë se dymbëdhjetë vitesh në pushtet, sekti qeverisës dhe vetë Kryeautokrati Rama po përballen me një fenomen klasik: lodhjen politike dhe shterimin e energjive për ndryshim. Reformat e shpallura si prioritet, si reforma në drejtësi, reforma territoriale dhe reforma administrative kanë humbur ritmin dhe përballen me rezistencë të fortë nga grupet e interesit.
Mazhoranca përballet me erozion elektoral dhe me perceptimin se i ka mbaruar energjia për reforma të mëdha. Kabineti qeveritar shihet si teknik dhe i centralizuar, me asnje figurë të re që frymëzojë ndryshim. Ministrat e kabinetit të ri janë më shumë administratorë të status quo-së së një qeverisjeje te kalbur nga korrupsioni dhe abuzimet me pronën shtetërore, se sa motorë ndryshimi. Premtimi për “hapjen e një kapitulli të ri” po zbehet, duke sjellë perceptimin e një mandati teknik dhe jo vizionar.
Pas tre mandateve të njëpasnjëshme, pritshmëritë për një mandat të katërt ishin të lidhura me përfundimin e reformave të nisura ne drejtësi, administratë publike dhe decentralizim, ne rritjen e rritjen e transparencës dhe te përgjegjshmërisë qeveritare, si dhe me modernizimin e ekonomisë, përmes digjitalizimit dhe inovacionit.
Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2016 si projekti më ambicioz për shtetin e së drejtës në Shqipëri, premtoi një sistem gjyqësor të pavarur, funksional dhe të paanshëm. Por në praktikë, balanca e rezultateve tregon se kjo reformë ka qenë e instrumentalizuar politikisht nga sekti Rama, për të dobësuar opozitën dhe për të konsoliduar pushtetin ekzekutiv. Në vend të një drejtësie të pavarur, Shqipëria sot përballet me një boshllëk institucional, selektivitet në hetime dhe perceptim të lartë të politizimit të prokurorisë dhe gjykatave të reja.
Në teori, reforma synonte të godiste korrupsionin në nivelet e larta dhe të rikthente besimin e publikut tek drejtësia. Në praktikë, rezultatet janë selektive dhe të njëanshme. Hetimet janë përqendruar kryesisht te figurat e opozitës dhe ish-zyrtarë të qeverive të mëparshme. Rastet e korrupsionit që prekin zyrtarë aktualë të mazhorancës hetohen më ngadalë ose mbyllen pa rezultat konkret.
Shumë gjykata kanë mbetur pa gjyqtarë, për shkak të procesit të vetting-ut, duke zgjatur pafund çështjet gjyqësore. Sekti në qeverisje ka përfituar nga kjo situatë, për të qeverisur me vendime administrative pa frikën e kontrollit gjyqësor. Ja përse opozita me të drejtë e percepton drejtësinë si mjet presioni dhe hakmarrjeje politike, ndërsa raportet ndërkombëtare (Freedom House, Transparency International, etj.) vazhdojnë të theksojnë nivel të lartë korrupsioni dhe mungesë pavarësie reale të gjyqësorit.
Në vend që të shtojë besimin e qytetarëve tek drejtësia, Ramaforma në drejtësi ka konsoliduar pushtetin autokrat të kryeministrit në mungesë të balancave institucionale, duke dobësuar ndjeshëm dhe gati shuar demokracinë pluraliste, pasi opozita ndodhet nën presion gjyqësor.
Ramaforma ka penguar edhe procesin e integrimit në BE, për shkak të mungesës së rezultateve të balancuara kundër korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit.
Reforma territoriale e vitit 2014, e cila uli numrin e njësive vendore nga 373 në 61, synonte forcimin e qeverisjes vendore, rritjen e kapaciteteve administrative dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët. Pas më shumë se një dekade zbatimi, ajo paraqitet si dështim i plotë, me rezultate tejet zhgënjyese.
Shërbimet publike kanë mbetur të dobëta, hendeku mes zonave urbane dhe rurale është thelluar, dhe decentralizimi real nuk është realizuar. Reforma ka përfunduar si një centralizim i pushtetit në pak bashki të mëdha dhe një dobësim i skajshëm i demokracisë vendore.
Reforma territoriale u prezantua si një nga reformat kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian, por raportet e monitorimit të Komisionit Evropian, të Këshillit të Evropës dhe të organizatave vendore tregojnë se objektivat kyçe të saj të rritjes së eficiencës së administratës vendore, shtimit të të ardhurave vendore dhe investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe nxitjes së pjesëmarrjes qytetare e zhvillimin të demokracisë lokale kanë dështuar totalisht.
Reforma Zgjedhore është lënë në harresë, pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Në 12 vjet, sekti Rama ka patur përparësi vetëm fokusin në propagandë, por jo punën e përditshme dhe të vështirë në çuarjen përpara të politikave thelbësore për të përmirësuar gjendjen ekonomike të shtresave të varfëra dhe të mesme të popullsisë. Është kujdesur për rritjen e komunikimit qeveritar të tipit marketing dhe blerjen e mediave, me mungesë të transparencës mbi vendimmarrjet strategjike qeveritare.
Sekti në pushtet është kujdesur t’i paraqesë politikat e veta publike si suksese të mëdha, ndërkohë që matjet e pavarura tregojnë progres minimal ose zero.
Të tre mandatet e mëparshme kanë treguar mungesë të reformave fiskale apo nismave për të luftuar ekonominë informale. Edhe ky mandat i katërt po ngjizet nën mungesën absolute të politikave të reja fiskale.
II. Aventura antikushtetuese me ministrin virtual!
Rama 4 nuk pritet të investohet në asnjë prej drejtimeve themelore reformuese të përshkruara më sipër, për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, por i është futur aventurës digjitale me një ministër virtual, një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit.
Emërimi dhe përdorimi i një “ministri virtual” me emrin Diella, pa bazë ligjore dhe kushtetuese, përbën precedent të rrezikshëm në sistemin qeverisës të Shqipërisë.
Kushtetuta e vendit e përcakton qartë përbërjen e Këshillit të Ministrave dhe mënyrën e emërimit e shkarkimit të ministrave, duke kërkuar që ata të jenë individë realë, me përgjegjësi politike dhe ligjore. Koncepti i një ministri virtual, qoftë si inteligjencë artificiale, apo si entitet digjital i përdorur në vendimmarrje, krijon boshllëk të plotë përgjegjësie, shkel ndarjen e pushteteve dhe cenon parimin e llogaridhënies publike.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 95 përcakton se Këshilli i Ministrave përbëhet nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Neni 98 parashikon se ministrat emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti, me propozim të kryeministrit. Neni 102 i jep kryeministrit kompetencën për të përcaktuar drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, por gjithmonë përmes ministrave të përgjegjshëm.
Emërimi i një “ministri virtual” jashtë këtyre procedurave përbën shmangie të hapur të normës kushtetuese. Nuk ekziston asnjë dispozitë që lejon ushtrimin e funksioneve ministrore nga një entitet joperson fizik. Përgjegjësia politike e ministrit nuk mund të delegohet tek një sistem digjital.
Ministri është përgjegjës përpara Kuvendit dhe mund të thirret në interpelancë. Një ministër virtual nuk mund të japë llogari reale. Mungon mundësia për përgjegjësi penale ose disiplinore në rast abuzimi me kompetencat.
Nje precedent i tille eshte i rrezikshem, pasi hap rrugën për zëvendësimin e institucioneve kushtetuese me platforma teknologjike pa mbikëqyrje dhe minon besimin e publikut te legjitimiteti i qeverisjes dhe shteti i së drejtës.
Vendimmarrjet e një sistemi virtual nuk janë transparente dhe nuk i nënshtrohen auditimit kushtetues. Ky sistem përbën rrezik sistemik dhe të pëhershëm për manipulim të dhënash dhe kapje teknologjike nga aktorë privatë ose të huaj.
III. Kriza më e thellë e besueshmërisë publike në 35 vjet!
Rama 4 vjen me krizën më të thellë të besueshmërisë publike në 35 vitet e tranzicionit. Sondazhet e fundit tregojnë rënie të ndjeshme të besimit te qeveria. Skandalet e korrupsionit dhe perceptimi se drejtësia e re është selektive po minojnë imazhin e mazhorancës.
Rritja e çmimeve dhe presioni mbi shtresat e mesme dhe të varfra po krijojnë pakënaqësi të forta sociale. Migrimi masiv i të rinjve është shndërruar në “votim me këmbë” kundër politikave të qeverive të sektit Rama.
Edhe pse kemi rritje ekonomike, struktura e saj mbetet e brishtë dhe nuk ngroh askënd, përveç oligarkëve pranë Ramës. Rritja ekonomike bazohet kryesisht te turizmi dhe remitancat, duke lënë sektorin prodhues në hije. Investimet publike janë të centralizuara dhe jo të shpërndara drejt rajoneve që kanë më shumë nevojë.
Procesi i anëtarësimit në BE ka hyrë në një fazë kritike. Pavarësisht butaforisë së Ramës për hapje kapitujsh në kohë rekord, negociatat po ecin ngadalë, për shkak të mungesës së rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor. Partnerët ndërkombëtarë kanë dhënë mesazhe të qarta se ritmi i reformave do të jetë përcaktues për ecurinë e mëtejshme.
Sekti Rama ka marrë në duar pothuajse çdo pushtet, nga ekzekutivi te legjislativi, madje dhe ndikim mbi drejtësinë, duke dobësuar sistemin e balancave demokratike. Kjo krijon rrezik për autoritarizëm funksional, që në vend të stabilitetit mund të sjellë shpërthime sociale dhe tensione politike.
xx
Tre mandate nepotizmi dhe abuzimi e korrupsioni nën drejtimin e sektit Rama kanë sjellë një Parlament të dobësuar, pa kontroll real mbi ekzekutivin. Pasojat e mungesës së energjisë reformuese te kabineti i katërt përbëjnë rrezik për procesin e integrimit në BE, për shkak të mosplotësimit të kapitujve kyçë. Ato do të sjellin stagnim ekonomik afatmesëm, me rritje të ngadalësuar dhe ulje të konkurrueshmërisë.
Qeverisja Rama 4 do të vijojë të shkaktojë një erozion të plotë të besimit publik, rritje të apatisë qytetare dhe shtim galopant të emigracionit dhe të humbjes së shpresës se ky vend bëhet.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike, krahas demaskimit të Ramës dhe kabinetit pupac 4 të tij, nuk mund të mbetet thjesht kritike e situatës. Përgjegjësia e saj si forcë kryesore opozitare është të shpalosë një alternativë të qartë politike, ekonomike dhe institucionale, për të ofruar një rrugëdalje reale për qytetarët. Kjo është thelbësore për rikthimin e besimit publik te opozita dhe për rigjallërimin e demokracisë pluraliste në Shqipëri.
Ndërsa kabineti Rama 4 po shkon drejt dështimit të paralajmëruar, detyrimi i PD-së është të ofrojë një vizion të qartë, realist dhe të besueshëm për të ardhmen e Shqipërisë. Shpalosja e alternativës nuk është thjesht një zgjedhje strategjike, por një përgjegjësi politike dhe qytetare. Vetëm kështu opozita mund të rifitojë rolin e saj si motor i ndryshimit dhe garante e një demokracie funksionale.