HomeKryesore“Rama 4”, prezantohet nesër, zbulohet programi i qeverisë. Tre shtyllat kryesore: Integrimi,...

“Rama 4”, prezantohet nesër, zbulohet programi i qeverisë. Tre shtyllat kryesore: Integrimi, ekonomia dhe mirëqenia sociale. Deputetët nga 10 minuta kohë për debat

spot_img

Të enjten, 18 shtator, do të zhvillohet seanca e radhës parlamentare, ku do të prezantohet programi qeverisës. Konferenca e Kryetarëve u mblodh sdje për të vendosur se si do të zhvillohet seanca.

Mësohet se Partia Demokratike kërkoi debat pa limit kohor. Në përfundim u vendos që deputetët të kenë nga 10 minuta kohë në Kuvend për debat mbi këtë çështje.

Pritshmëritë janë që deri të premten të jetë miratuar qeveria e re dhe më pas të bëhet betimi në presidencë për të konsoliduar qeverinë e katërt të Edi Ramës.

Kryeministri Edi Rama do të prezantojë programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme gjatë seancës parlamentare që do të zhvillohet të enjten, 18 shtator.

Siç është raportuar më herët, deputetët do të kenë mundësi të debatojnë nga 10 minuta secili gjatë seancës, që pritet të jetë maratonë.

Por çfarë përmban programi i qeverisë “Rama 4”?

Ai është i përqendruar në tre shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenie për të gjithë.

Siç edhe e ka bërë publike gjatë fushatës, qëllimi kryesor dhe motivi i ço reforme të qeverisë Rama do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë deri në vitin 2030.

“Anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane”, thuhet në program.

Sa i përket rritjes ekonomike, objektivi i qeverisë janë financat e shëndosha, tatimet e ndershme dhe një klimë e mirë për biznesin. Sektorë strategjikë do të jenë turizmi, bujqësia, energjia e pastër dhe infrastruktura.

“Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne, porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore, që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi”, thuhet në program.

Objektivi i qeverisë së katër viteve të ardhshme është edhe kujdesi për fëmijët, arsimi modern, shëndetësia falas dhe e modernizuar, pensione dinjitoze dhe mbështetje sociale.

“Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme”, thuhet në program.

Shtylla I – SHQIPËRIA EUROPIANE

1.Anëtarësimi në Bashkimin Europian

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE konsiderohet prioriteti mbi prioritetet i kësaj dekade, busulla që drejton çdo vendim strategjik, shkruhet në program. Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit në 2028 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së në vitin 2030.

Procesi përfshin harmonizimin e plotë të legjislacionit me BE, rritjen e përthithjes së fondeve europiane, përgatitjen e administratës publike dhe integrimin e ekspertëve shqiptarë në institucionet e BE-së. Njëkohësisht do të forcohen partneritetet me vendet anëtare dhe do të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe bizneseve për përfitimet e tregut të përbashkët.

2.Shteti Digjital dhe Siguria Kibernetike

Plani përpara parashikon një transformim të plotë digjital të shtetit shqiptar, ku shërbimet publike ofrohen të personalizuara, proaktive dhe të sigurta, duke përdorur inteligjencën artificiale në çdo fushë, nga administrata dhe shëndetësia, te drejtësia, bujqësia dhe emergjencat civile.

Diella synohet të shndërrohet në asistente personale e çdo qytetari dhe biznesi në Shqipëri.

Synohet krijimi i sistemeve të automatizuara që eliminojnë korrupsionin, rrisin transparencën dhe përmirësojnë cilësinë e shërbimeve. Në qendër të vizionit është integrimi i Shqipërisë në standardet digjitale të BE-së, ndërtimi i kapaciteteve kombëtare për AI, Smart City dhe Smart Labs për të rinjtë, si dhe forcimi i mbrojtjes kibernetike kombëtare.

3. Administrata Publike, Antikorrupsioni dhe Transparenca

Shqipëria synon një administratë “pa letër”, ku proceset digjitalizohen plotësisht dhe mbështeten nga inteligjenca artificiale, nga menaxhimi i burimeve njerëzore deri te rekrutimet meritokratike.

Reforma do të përqendrohet te parandalimi i korrupsionit dhe transparenca maksimale, përmes platformave digjitale që gjurmojnë shpenzimet publike dhe automatizojnë prokurimet.

4. Drejtësia dhe të Drejtat Themelore

Qeveria shqiptare parashikon që reforma në drejtësi do të thellohet me miratimin e Kodit Penal dhe Civil sipas standardeve të BE-së, funksionalizimin e sistemit digjital të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe modernizimin e infrastrukturës së gjykatave.

Do të zbatohen standarde të reja në burgje, do të përmirësohen kushtet për të paraburgosurit dhe të dënuarit, si dhe do të krijohet një sistem i posaçëm për drejtësinë penale të të miturve.

5. Politika e Jashtme dhe Diaspora

Shqipëria do të forcojë partneritetet strategjike me SHBA, BE-në dhe aleatët kryesorë, duke konsoliduar rolin si faktor stabiliteti në rajon dhe duke organizuar Samitin e NATO-s në Tiranë në vitin 2027. Do të zgjerohet rrjeti diplomatik, do të dyfishohen investimet e huaja përmes një “One-Stop Shop” për investitorët dhe do të promovohet identiteti shqiptar me diplomaci ekonomike, kulturore e shkencore.

6. Mbrojtja dhe Siguria Kombëtare

Shqipëria do të forcojë Forcat e Armatosura me burime njerëzore të specializuara dhe paga konkurruese, ndërkohë që zhvillon industrinë ushtarake “Made in Albania” dhe modernizon flotën detare. Do të përmirësohet infrastruktura kritike dhe kapacitetet e mbrojtjes civile, duke investuar në qendra emergjencash, avionë zjarrfikës dhe sisteme inteligjente reagimi. Paralelisht, dixhitalizimi i mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, përfshirë mbrojtjen kibernetike dhe sistemet satelitore, do të vendosë inovacionin në qendër të modernizimit të gjithë spektrit ushtarak dhe civil.

7. Siguria Publike

Shqipëria do të përforcojë ligjet kundër krimit të organizuar, trafikimit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe krimeve ndaj të miturve, duke funksionalizuar projekte si “Smart City” për reagim policor më të shpejtë dhe siguri rrugore të rritur. Territori do të monitorohet me sisteme digjitale, dronë dhe satelitë, ndërsa asetet kriminale do të rikuperohen dhe shndërrohen në investime komunitare. Dokumentet biometrike dhe identiteti digjital do të modernizohen, kufijtë dhe migracioni do të menaxhohen sipas standardeve të Schengen-it, dhe reagimi ndaj zjarreve do të forcohet me qendra koordinimi, trajnime dhe teknologji inteligjente.

leke

Shtylla II – RRITJA EKONOMIKE E QËNDRUESHME

1. Financat Publike dhe Politika Fiskale

Shqipëria synon rritjen e të ardhurave për frymë me rreth 40% dhe ruajtjen e rritjes ekonomike prej rreth 4% në vit, duke përforcuar stabilitetin fiskal, ulur borxhin publik dhe garantuar mbrojtje sociale për qytetarët.

Qeveria do të rrisë të ardhurat tatimore përmes digjitalizimit dhe luftës ndaj informalitetit, do të mbështesë bizneset e vogla me taksë 0% dhe do të zbatojë reformën e taksës mbi pasuritë e paluajtshme.

Fermerët do të përfitojnë transferta direkte përmes TVSH-së, ndërsa legjislacioni tatimor dhe doganor do të përafrhohet plotësisht me standardet e BE-së, duke krijuar gjithashtu Këshillin Fiskal për vlerësimin e qëndrueshmërisë së financave publike.

2. Politikat për Biznesin

Shqipëria synon të nxisë investimet dhe transformimin ekonomik përmes mobilizimit të mbi 2 miliardë euro kredie dhe garancish, miratimit të Strategjisë Kombëtare Industriale dhe paketave për zonat malore me përfitime tatimore për investitorët.

Qeveria do të përforcojë financimin dhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke rritur aksesin në kredi, fondet zhvillimore dhe integrimin në tregun unik evropian.

Ligjet dhe standardet e mbrojtjes së pronës industriale dhe të konsumatorit do të përafrohen me BE-në, ndërsa sistemi i inspektorateve dhe dhomat e tregtisë do të reformohen për më shumë transparencë, efikasitet dhe mbështetje për biznesin. Strategjia e Specializimit Inteligjent do të drejtojë fondet kombëtare dhe BE-së drejt projekteve inovative dhe sektorëve me avantazh konkurrues.

3. Inovacioni dhe Teknologjia

Shqipëria synon të fuqizojë ekosistemin e inovacionit dhe startup-eve përmes trefishimit të fondeve, krijimit të inkubatorëve dhe akseleratorëve, dhe zhvillimit të instrumenteve të financimit alternativ si “crowdfunding” dhe investimet engjëllore.

Qeveria do të nxisë kërkim–zhvillimin tek bizneset e mëdha, do të krijojë teknoparqe, parqe eko-industriale dhe qendra ekselence në nanoteknologji dhe shkenca biomarine, si dhe do të forcojë lidhjen universitet–biznes për inovacion të aplikueshëm.

Tregu financiar do të modernizohet me rregulla për kripto-asete, tokenizim dhe ekonominë digjitale pa cash (“Cashless Albania 2028”), ndërsa inteligjenca artificiale do të përdoret për asistencë në biznes dhe administratë dhe për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së në vetëm 2 vite. Gjithashtu, do të ngrihet Qendra e Rezervimit të të Dhënave për sigurinë dhe reziliencën e sistemeve elektronike.

4. Puna dhe Kapitali Njerëzor

Shqipëria synon të transformojë tregun e punës dhe arsimin profesional, duke ulur papunësinë totale në 6% dhe atë të të rinjve nën 15% deri në 2030. Paga minimale do të arrijë 500 € deri në 2026 dhe paga mesatare kombëtare 1,000 €, ndërsa sektori publik do të ketë 1,200 €.

Programi “Garancia Rinore” do të ofrojë punë, trajnim ose arsim për mbi 40 mijë të rinj në katër muaj, dhe arsimi profesional do të shndërrohet në qendra multifunksionale me kurse të certifikuara ndërkombëtarisht.

Politikat synojnë barazi gjinore, kushte të dinjitetshme pune dhe sistem social të qëndrueshëm, ndërsa marrëveshjet bilaterale dhe programet për diasporën do të lehtësojnë rikthimin e talenteve dhe mbrojtjen sociale për shqiptarët jashtë vendit.

5. Infrastruktura Moderne

Programi i infrastrukturës dhe transportit synon të modernizojë rrjetin rrugor, hekurudhor, portet, aeroportet dhe transportin publik në mënyrë të qëndrueshme dhe digjitale. Deri në 2029-2030, do të ndërtohen 700 km rrugë të reja, përfshirë korridoret kryesore dhe bypass-e strategjikë, duke lidhur zonat turistike dhe rajonet e brendshme.

Rrjeti hekurudhor do të rinovohet me linja moderne dhe lidhje rajonale, ndërsa transporti publik do të ofrojë autobusë elektrikë, bileta elektronike dhe shërbime për shkolla dhe itinerare turistike. Portet dhe aeroportet do të zgjerojnë kapacitetet për tregtinë dhe pasagjerët, duke përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe Akademinë e Aviacionit.

Transporti i gjelbër dhe i qëndrueshëm do të përfshijë flota elektrike dhe stacione karikimi, ndërsa uji i pijshëm dhe kanalizimet do të sigurohen 24 orë me digjitalizim dhe monitorim inteligjent për eficiencë dhe transparencë. Ky plan krijon një rrjet të integruar dhe modern, duke përmirësuar lëvizshmërinë, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

6. Turizmi

Plani për turizmin synon zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke brand-uar Shqipërinë në gjashtë rajone turistike dhe duke ofruar standarde ndërkombëtare. Porti i Durrësit dhe 20 marina të reja do ta vendosin vendin si destinacion kryesor për turizmin detar, ndërsa turizmi malor dhe sportet dimërore do të zgjerohen në Alpe dhe zona natyrore.

Investimet përfshijnë promovimin e trashëgimisë kulturore, digjitalizimin e kalendarëve kulturorë dhe konsolidimin e infrastrukturës për konferenca dhe panaire ndërkombëtare. Platforma Digjitale e Integruar e Turizmit do të lehtësojë regjistrimin e vizitorëve dhe statistikën e saktë, ndërsa Akademia Ndërkombëtare e Turizmit do të formojë profesionistë të rinj. Administrimi i plazheve do të përmirësojë qetësinë dhe hapësirat publike për pushuesit.

7. Bujqësia dhe Zhvillimi Rural

Plani bujqësor synon rritjen e prodhimit dhe eksporteve bujqësore deri në 1 miliard € deri në 2030, përmes mbështetjes së kulturave me vlerë të lartë, ndërtimit të qendrave moderne për ruajtjen dhe përpunimin e produkteve, shtimit të serave dhe modernizimit të markatave të peshkut.

Menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve, digjitalizimi i kontrollit dhe përdorimi i AI dhe dronëve do të përmirësojnë cilësinë dhe efikasitetin e prodhimit. Fermerët do të mbështeten me subvencione dhe programe investimesh, ndërsa strukturat ujitëse dhe digat do të modernizohen për të garantuar ujitje dhe mbrojtje optimale.

Reforma përfshin gjithashtu zhvillimin e fermave moderne përmes “Contract Farming”, kooperativave dhe programeve sektoriale për bagëtitë e imta, duke siguruar gjurmueshmëri, standarde të BE-së dhe përdorim të qëndrueshëm të burimeve.

8. Energjia

Plani energjetik synon modernizimin dhe diversifikimin e sektorit për integrim të plotë në tregun europian, me ulje të humbjeve në shpërndarje dhe shtim të kapaciteteve gjeneruese, përfshirë 500 MW nga burimet e rinovueshme dhe parkun e madh eolik në Tropojë. Rivitalizimi i TEC-eve, gazifikimi i qyteteve dhe konvertimi i TEC-eve lundruese në gaz natyror do të rrisin sigurinë energjetike dhe do të ulin ndotjen.

Shqipëria synon trefishimin e kapacitetit të eksportit dhe ndërtimin e linjës nënujore Shqipëri–Itali, si dhe zgjerimin e ndërkonjeksioneve rajonale dhe depozitimin strategjik të energjisë. Rrjeti inteligjent, rinovimi i ndërtesave dhe mbështetja për panele diellore dhe biokarburante do të rrisin efikasitetin dhe qëndrueshmërinë. Plani përfshin gjithashtu zhvillimin e Akademisë së Energjisë, kompanisë shtetërore të naftës dhe nismave për flotat elektrike.

Shtylla III – MIRËQENIE PËR TË GJITHË

1. Arsimi dhe Formimi Profesional

Plani arsimor synon rritjen e pagave të mësuesve dhe ndërtimin e 200 shkollave të reja me laboratorë inteligjentë dhe infrastrukturë moderne, duke integruar teknologjinë digjitale dhe AI në mësimdhënie. Përforcohet arsimi profesional dhe internacionalizimi i universiteteve, me kampuse të reja, programe të përbashkëta dhe përfshirje të diasporës akademike.

Ndërkohë, digjitalizohen shërbimet arsimore, sigurohen tekste falas dhe mbështetje për nxënësit me nevoja të veçanta, ndërsa zgjerohet transporti shkollor falas dhe zhvillohen shkolla me orientim artistik, sportiv dhe shkencor. Sistemi i kërkimit shkencor modernizohet me laboratorë, programe doktorale dhe bashkëpunim akademi-biznes, duke e bërë Shqipërinë konkurruese dhe të integruar me standardet e BE-së.

2. Shëndetësia

Plani shëndetësor synon rindërtimin e qendrave shëndetësore dhe transformimin e QSUT “Nënë Tereza” në një qendër ekselence rajonale. Shëndetësia digjitale do të ofrojë receta dhe referime elektronike, sisteme spitalore të integruara dhe regjistra kombëtarë, ndërsa programi i Kontrollit Shëndetësor Bazë do të ofrohet falas për të gjithë pensionistët pa kufizim moshe.

Pagat e mjekëve dhe infermierëve rriten për të ruajtur konkurrueshmërinë, ndërsa kapacitetet diagnostikuese, spitalore dhe numri i stafit shëndetësor do të afrohen me standardet e BE-së. Programet për barnat, trajtimet moderne dhe shëndetin mendor do të garantojnë akses universal, cilësi dhe mbështetje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë.

3. Familja, Politikat Sociale dhe Strehimi

Plani social synon ndërtimin e banesave me kosto të ulët dhe zgjerimin e fondit të banesave sociale, duke përdorur edhe të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara. Mbështetja për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me spektër autizmi do të rritet, duke krijuar qendra të reja dhe shërbime të integruara.

Rrjeti i qendrave komunitare dhe shërbimeve sociale do të fuqizohet, ndërsa sistemi digjital për mbrojtjen sociale garanton transparencë dhe gjurmueshmëri.

Programet për familjet e reja, gratë dhe komunitetet vulnerabël do të ofrojnë subvencione, kredi të buta dhe mundësi punësimi, ndërsa për të moshuarit do të krijohen struktura dhe asistencë të specializuar për një jetë me dinjitet dhe mbështetje të vazhdueshme. Integrimi me standardet dhe mekanizmat europianë siguron mbulim social të barabartë në të gjithë vendin.

4. Pensionet

Plani i pensioneve synon garantimin e një pensioni mesatar prej rreth 400 euro dhe minimal prej 200 euro deri në vitin 2029, si pjesë e mbrojtjes sociale.

Sistemi do të digjitalizohet plotësisht për transparencë dhe gjurmueshmëri, ndërsa ulja e informalitetit dhe përdorimi i bonuseve ekonomike synojnë rritjen e bazës së kontributeve.

Pensionet do të mbulojnë rreth 40% të të ardhurave të fituara dhe do të ofrohet portabilitet ndërkufitar për njohjen e përfitimeve, në përputhje me standardet europiane dhe ILO.

5. Fëmijët, Rinia dhe Barazia Gjinore

Plani për rininë fokusohet në zhvillimin e talentit dhe aftësive të të rinjve përmes investimeve në laboratorë inteligjentë, kurrikula digjitale, sport, art dhe inovacion, si dhe hapësira rinore dhe urbane multifunksionale.

Programet kombëtare mbështesin praktikën profesionale, pjesëmarrjen në kompeticione dhe nismat komunitare, duke përfshirë mbi 40 mijë të rinj deri në vitin 2030.

Ndërkohë, krijohet një platformë digjitale për mundësi dhe financime transparente, ligji për vullnetarizmin dhe programet për aftësi digjitale. Plani përfshin mbështetje për sipërmarrjen rinore, strehimin me kredi të buta, barazinë gjinore në punësim dhe promovimin e pjesëmarrjes së grave dhe nënave të reja në zonat rurale.

6. Mbrojtja e Mjedisit dhe Ndryshimet Klimatike

Plani mjedisor synon krijimin e një Ekonomie Qarkulluese me një Operator Kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve, duke përmirësuar riciklimin, kompostimin dhe vend-depozitimet sanitare, si dhe duke mbyllur pikat e papërshtatshme historike.

Rritet kontrolli mbi territorin dhe zbatohet parimi “Ndotësi paguan”, ndërsa krijohet një sistem digjital i të dhënave mjedisore për monitorim në kohë reale.

Përmirësohet menaxhimi i ujërave dhe përdorimi i teknologjive për integrimin e të dhënave mjedisore, forcohet pyllëzimi dhe harmonizohen politikat klimatike për ulje të emetimeve dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.

7. Pushteti Vendor dhe Zhvillimi Rajonal

Reforma e re administrative territoriale synon përshtatjen me standardet e BE-së deri në vitin 2027, duke fuqizuar kapacitetet sipërmarrëse dhe profesionale të bashkive përmes ligjeve të reja dhe Akademisë së Pushtetit Vendor.

Shërbimet vendore do të digjitalizohen sipas modelit e-Albania, duke u bërë më të aksesueshme për qytetarët, ndërsa transferet financiare dhe grantet e performancës do të rishikohen për të nxitur efikasitetin. Bashkitë do të inkurajohen të hartojnë plane zhvillimi ekonomik vendor, të përfshijnë universitete dhe qendra kërkimore, dhe të forcojnë demokracinë vendore përmes transparencës, llogaridhënies dhe të dhënave të hapura.

8. Sporti

Plani sportiv parashikon ndërtimin e katër stadiumeve të reja në qytetet kryesore dhe krijimin e akademive sportive sipas modeleve ndërkombëtare për zhvillimin e talenteve.

Investimet përfshijnë 200 palestra dhe terrene të reja në shkolla, zgjerimin e programit “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe infrastrukturë për sportistët me aftësi të kufizuara.

Përveç krijimit të Komitetit Paraolimpik dhe Olimpikut Special, Shqipëria synon të mikpresë ngjarje sportive ndërkombëtare, duke e vendosur vendin si një qendër rajonale të sportit dhe duke promovuar potencialet ekonomike, turistike dhe kulturore.

9. Kultura

Plani kulturor përqendrohet në modernizimin e muzeve ekzistuese dhe hapjen e shtatë muzeve të reja, ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar dhe përfundimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Synohet rikualifikimi i destinacioneve historike për turizmin kulturor, zgjerimi i hapësirave për librin dhe artin, si dhe përmirësimi i statusit dhe mbështetjes financiare të artistëve. Përforcohet promovimi i kulturës shqiptare jashtë vendit përmes qendrave kulturore në Evropë dhe SHBA, ndërsa krijohen fondacione, agjenci dhe platforma digjitale për menaxhim më efikas dhe transparencë të industrisë krijuese.

Strategjia përfshin gjithashtu restaurimin e monumenteve, rijetëzimin e kinoteatrove dhe nismën “Itinerari i 100 Kullave”, si dhe miratimin e një pakete të re ligjore për artin dhe kulturën.

Programi i qeverisëDownload

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular