Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti një fjalim në Parlamentin Europian në Bruksel, me rastin e përfundimit të mandatit të presidentit të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), Oliver Röpke.
Rama përshëndeti rolin e rëndësishëm të Röpke-s në forcimin e dialogut social dhe mbështetjen për zgjerimin e Bashkimit Europian, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se pavarësisht vështirësive të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Röpke arriti të sjellë qetësi dhe të forcojë dialogun social në kohë të vështira.
“Shqipëria, pavarësisht se në pritje për anëtarësimin në BE, se duket që nga “Epoka e Gurit”, në atë epokë gjithë flokët i kisha të zinj, nuk kishim mundur të hapnim asnjë kapitull negociues. Megjithatë, mes kësaj trazire, ju sollët qetësi,” u shpreh Rama.
Ai e cilësoi dialogun social si një “nevojë të domosdoshme, si oksigjeni” për një kontinent që po përballet me sfida të mëdha. Kryeministri Rama e vlerësoi rolin e Röpke si një “kampion i zgjerimit” të BE-së, duke e admiruar për qasjen e tij gjithëpërfshirëse ndaj vendeve kandidate. Rama theksoi se Röpke u sigurua që zërat e vendeve të Ballkanit Perëndimor të dëgjohen si partnerë me “zë të plotë në kor” dhe jo si “pëshpërima të zbehta”.
Ai shtoi se Röpke këmbënguli që BE-ja nuk është thjesht një treg i përbashkët, por një bashkësi njerëzish ku rritja ekonomike duhet të shoqërohet me drejtësi sociale, dinjitet njerëzor, vende pune, paga të drejta dhe mundësi të barabarta.
“Ju këmbëngulët fort që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian,” deklaroi Rama, duke e cilësuar këtë si një vizion të qartë për rajonin.
Kryeministri Rama bëri një përditësim të rëndësishëm për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Ai theksoi se vendi është në një “turbo sprint të mbikarikuar” për anëtarësimin në BE, duke përmendur hapjen e katër kapitujve të rinj negociues, përveç 24 të tjerëve të hapur më parë.







