Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në takim Komandantin e SHBA-ve për Evropën dhe Komandant Suprem i Komandës së Aleancës për Evropën, Gjeneral Alexus G. Gryenkwich.
Kreu i Shtetit, pasi e uroi për detyrën e rëndësishme, e vlerësoi vizitën e tij si një dëshmi e qartë e angazhimit të SHBA-ve dhe NATO-s ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
“Shqiptarët kudo ku ata jetojnë në rajon i janë falënderues SHBA-ve për kontributin e tyre historik ndaj nesh”, theksoi Presidenti Begaj.
Presidenti i Republikës vlerësoi iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut A5 si një iniciativë që ka kontribuar në anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO, por edhe për rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon.
Kreu i Shtetit theksoi: “Shqipëria i është mirënjohëse SHBA-ve për kontributin për modernizimin e forcave të armatosura, si edhe për çdo ndihmë që ata kanë dhënë për integrimin Euroatlantik të Shqipërisë”.
Biseda u fokusua, gjithashtu, në sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi.
Begaj theksoi se Shqipëria vlerëson KFOR-in si faktor të rëndësishëm stabiliteti dhe sigurie për të gjithë rajonin dhe se vijimi i pranisë së SHBA-ve në rajon është domosdoshmëri. Po ashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi si shumë të rëndësishëm vijimin e stërvitjeve të përbashkëta si “Defender Europe”.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim përfaqësuesit e Shoqatës së Kontabilistëve të rinj Shqiptarë që veprojnë në Itali, si edhe përfaqësues të Shoqatës së Kontabilistëve Italianë.
Begaj përgëzoi iniciativën e të rinjve profesionistë shqiptarë për të kontribuar me potencialin dhe ekspertizën e tyre në Shqipëri, si edhe për krijimin e një ure komunikimi dhe bashkëpunimi midis profesionistëve të Diasporës dhe institucioneve shqiptare.
Kreu i Shtetit shfrytëzoi këtë takim për të falënderuar edhe një herë Italinë mike për mirëintegrimin e shqiptarëve në shoqërinë italiane, si edhe për rolin e saj si partneri kryesor tregtar dhe një nga investitorët më të rëndësishëm në vend.
Në fokus të bisedës ishte, gjithashtu, Konferenca “Shqipëria: Urë Mundësish – Investime Strategjike për të Ardhmen”, e cila do të zhvillohet më 18-19 shtator 2025 në Tiranë, me iniciativë të dy shoqatave që Presidenti Begaj priti sot.
Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për iniciativa të tilla që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.