Çdo parlament demokratik ka ndër seancat më të rëndësishme prezantimin e programit qeverisës dhe diskutimin e buxhetit. Në vend që Kuvendi të zhvillonte këtë proces me përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie, Kryeministri Edi Rama, në mënyrë autokratike dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet demokratike, e zhvlerësoi seancën, duke dëshmuar edhe një herë përbuzjen e tij ndaj institucioneve.
Sekti Rama e urren Kuvendin, ashtu siç urren dhe shkel Kushtetutën, duke treguar përbuzje të vazhdueshme ndaj institucioneve demokratike dhe parimeve themelore të shtetit ligjor.
Partia Demokratike do t’i përgjigjet kësaj provokacije dhe karshillëku të autokratit Rama.
Më poshtë janë pyetjet qé depozitova sot në Sekretarinë e Kuvendit mbi pseudoprogramin qeverisës:
1. Përse manipuloni me shifrat e PBB-së, duke mos korrigjuar efektin e kursit të këmbimit? Në programin tuaj flisni për rritje 2.5 herë të PBB-së nga 9.6 miliardë në mbi 25 miliardë euro. Pse përdorni kursin aktual të këmbimit, dhe i bëni përllogaritjet në euro dhe jo në lekë, në kushtet kur 1 euro=97 lekë sot, ndërsa në vitin 2013 1 euro=140 lekë? A nuk është kjo një mënyrë për të mbivlerësuar performancën tuaj ekonomike dhe për të mashtruar qytetarët me shifra të fryra?
2. Si justifikoni gati dyfishimin e borxhit për frymë, rritjen me 1.8 herë, kur e gjithë rritja ekonomike që paraqisni është e varur nga borxhi dhe jo nga prodhimi real? A mund të quhet kjo një ekonomi e shëndetshme?
3. Si mund të mburreni me eksportet, kur eksportet e mallrave janë ulur me mbi 30% dhe kompanitë prodhuese po falimentojnë? Si i përgjigjeni faktit që shumë kompani fason janë mbyllur ose janë në prag falimentimi? Sa i keni ndihmuar dhe po i ndihmoni ju ato?
4. Çfarë prodhimi real keni zhvilluar në 12 vjet, kur e gjithë ekonomia mbështetet në remitanca, turizëm dhe importe?
5. A nuk e keni kthyer ekonominë në një ekonomi fiktive, që stimulon konsumin dhe shpërblen importuesit, që po shkatërron kapacitetet prodhuese të vendit dhe rrit varësinë ndaj faktorëve të jashtëm si emigracioni dhe kursi i këmbimit?
5. Si e quani “zhvillim gjithëpërfshirës”, kur koeficienti Gini dhe treguesit e pabarazisë vazhdojnë të përkeqësohen? Nëse ekonomia është aq dinamike dhe mbështetëse për biznesin dhe individët, pse të rinjtë dhe profesionistët nuk po qëndrojnë, por zgjedhin të largohen masivisht?
6. Ku janë projektet konkrete për Strategjinë IndustrialeKombëtare që promovoni në program? A mund të përmendni disa investime strategjike industriale, që janë rezultat direkt i politikave tuaja gjoja nxitëse?
7. Në një kohë kur po ulni çmimet e referencës për importet, si do të mbrohen prodhuesit vendas nga mallrat e lira, shpesh me cilësi të dyshimtë, që po pushtojnë tregun tonë?
8. Si mund të jetë forcimi artificial i lekut bazë e qëndrueshme për zhvillim, kur valutat futen nga burime që nuk kontrollohen dot dhe nuk garantojnë stabilitet afatgjatë?
9. Pse dixhitalizimi i shërbimeve qeveritare nuk ka ulur korrupsionin apo rritur transparencën? Nëse gjithçka është online dhe “e thjeshtuar”, pse qytetarët dhe bizneset ende përballen me burokraci të tejzgjatur dhe korrupsion?
10. A mund të publikoni një raport të detajuar të ndikimit të politikave fiskale dhe monetare në shtresat e ndryshme sociale?Kush ka përfituar realisht nga politikat tuaja, qytetarët e zakonshëm apo një numër i vogël i përqendruar oligarkësh?
11. A mund të kemi transparencë të plotë për fondet e planifikuara (2 miliardë euro kredi/garanci), duke bërë publik çdo kriter ndarjeje dhe përfituesit finalë? Cilat mekanizma keni vendosur për të shmangur klientelizmin dhe kapjen e fondeve nga grupe të interesit të lidhur me pushtetin?