Në Programin Qeverisës 2025-2029, theksohet se gjatë periudhës së kaluar janë vendosur objektiva të qarta për rritjen e pensioneve, konsolidimin e skemës përmes uljes së informalitetit dhe nxitjes së deklarimit real të pagave, në mënyrë që çdo i siguruar të ketë kontributet e plota.
Një tjetër arritje e theksuar është digjitalizimi i sigurimeve shoqërore, i cili synon ofrimin e shërbimeve më të shpejta, transparente dhe të aksesueshme për qytetarët.
Në planin afatshkurtër, qeveria ka shpallur objektivin që pensioni mesatar për kontribuesit e plotë të arrijë 400 euro, ndërsa pensioni minimal 200 euro, si pjesë e forcimit të mbrojtjes sociale. Synimi final, i cilësuar si “destinacion europian”, është sigurimi i pensioneve të qëndrueshme dhe dinjitoze, të përafruara me standardet e Bashkimit Europian dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, përmes rritjes graduale të përfitimeve, zgjerimit të bazës kontribuuese, digjitalizimit të plotë dhe krijimit të mekanizmave të rinj investues për skemën e pensioneve.
Ulja e informalitetit në tregun e punës përmes nxitjes së deklarimit të pagave reale dhe këshillimit sistematik të punëdhënësve/punëmarrësve, për të rritur bazën e kontributeve dhe përdorimi sistematik i bonuseve sipas zhvillimeve ekonomike, është gjithashtu në synimet e qeverisë, sipas dokumentit.
Për më tepër, ambicia është që pensionet do të mbulojnë rreth 40% të të ardhurave të fituara gjatë viteve të punës, deri në vitin 2030 në përputhje me standardet europiane/ILO.
Ndërsa në lidhje me portabilitetin ndërkufitar të përfitimeve synohet përfundimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të njohjes së ndërsjellë të pensioneve. /