Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, në fjalën e saj të parë në këtë post, ka deklaruar se u rimbursimi i plotë i barnave onkologjike është një nga prioritetet e saj kryesore në këtë detyrë.
“Jam shumë e vetëdijshme që është një sfidë e madhe, por ata që më njohin e dinë që unë kam një dëshirë të madhe për të përballuar sfida. Megjithatë, sfidat i kam përballuar gjithmonë me një ekip. Kur skuadra është e suksesshme, edhe shefi i skuadrës është i suksesshëm.
Sigurisht, duhen bërë ndryshime. Ajo ku unë dua të fokusoj punën time, është në disa iniciativa kryesore. Të tjera do shtohen.
Mendoj që është shumë e rëndësishme zgjidhja sa më parë e rimbursimit të plotë të barnave onkologjike. Është e palejueshme për ne, si një vend europian dhe si një vend që do të futemi në BE brenda vitit 2030, që barnat onkologjike nuk janë plotësisht të rimbursuara për pacientët me kancer. Kjo është personale për mua. Është jo vetëm sfidë e detyrës, por edhe sfidë e karrierës. Besoj se është e bëshme dhe besoj se përputhet me vizionin e Kryeministrit.”, tha ministrja Sala.