Bankat tregtare po ofrojnë më tepër mbështetje për vajzat dhe gratë që drejtojnë një biznes të vogël apo të mesëm. Të dhënat më të fundit nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) tregojnë se përgjatë viteve, bankat kanë miratuar një numër më të madh kredish për këtë kategori.
Nga viti 2021 deri në 2024, numri i huave për SME të drejtuara nga vajza dhe gra është rritur ndjeshëm, duke arritur në 936 hua të reja në 2024, me një vlerë rekord prej 9.83 miliardë lekësh.
Në një hark kohor prej 4 vitesh, numri i kredive të dhëna për femrat sipërmarrëse rezulton të ketë pësuar një rritje me 70%, ndërsa edhe paratë e lëshuara nga bankat në këtë rast janë rritur me 212%.
Të gjitha këto janë tregues i përfshirjes së më shumë grave në sektorin e biznesit dhe përqafimit të këtij fakti nga bankat, të cilat i janë përgjigjur pozitivisht numrit më të madh të aplikimeve për kredi nga vajzat dhe gratë që drejtojnë një biznes. Gjithashtu, ky trend tregon vizionin dhe kontributin e grave sipërmarrëse në zhvillimin ekonomik.
Viti 2022 ka shënuar numrin më të vogël të kredive të marra, vetëm 140, të cilat kapnin një shumë prej 1.16 miliardë lekësh.
Nga ana tjetër, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë nga bankat për bizneset e vogla dhe të mesme (duke përfshirë gratë dhe burrat) arriti në 196 miliardë lekë në fund të muajit korrik.
Aksesi në financë është hapi i parë për ngritjen apo rritjen e një biznesi. Pavarësisht se femrat sipërmarrëse janë shtuar dhe bashkë me të është rritur edhe kredimarrja e tyre, ato vijojnë të zënë një përqindje të vogël në raport me numrin total të kredive të dhëna për bizneset e vogla dhe të mesme.