Tregu i kartave të kreditit pësoi përsëri rënie vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2024 bankat raportonin 113 290 karta krediti aktive, në rënie me 6.1% krahasuar me një vit më parë.
Rënia ka ardhur kryesisht nga dy bankat kryesore, Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen, që kanë pësuar rënie të numrit të kartave aktive dhe të pjesës së tregut. Ndërkohë, bankat e tjera në përgjithësi kanë pasur një tendencë në rritje të numrit të kartave të kreditit dhe pjesës së tyre të tregut.
Pavarësisht rënies së tyre gjatë 2024, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Raiffeisen Bank Albania vazhdojnë ta dominojnë tregun e kartave të kreditit, me rreth 64% të numrit total të tyre.
Gjatë vitit të kaluar, banka kryesuese e tregut për këtë produkt, BKT, pësoi një rënie të mëtejshme të pjesës së saj, në 32.2%, nga 36.3% që mbante një vit më parë.
Edhe banka e dytë, Raiffeisen Bank, vitin e kaluar pësoi rënie, duke zbritur në 31.9% të numrit të kartave, nga 34.1% që të tregut që zotëronte një vit më parë.
Banka e tretë në këtë treg pozicionohet Union Bank, që në fund të 2024 zotëronte 8% të kartave aktive, në rritje nga niveli prej 6.7% që mbante një vit më parë.
E katërta u rendit Tirana Bank, me 6.6% të tregut, edhe kjo në rritje nga niveli 5.6% që mbante një vit më parë.
Në vend të pestë renditet Credins Bank, me 6.6%, nga 4.7% që mbante një vit më parë.
Më tej, vijojnë Banka OTP Albania, me 5.3% të tregut, Fibank, me 4.7%, Intesa Sanpaolo Bank Albania, me 3.6%, ABI Bank, me 1% dhe ProCredit Bank Shqipëri, me 0.2%.
Në vitet e fundit, sektori bankar po raporton një rritje të shpejtë të pagesave me kartë, të nxitur sidomos nga turistët e huaj. Kërkesa e tyre për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, edhe në vijim të një rritjeje të shpejtë të pagesave elektronike, karta e kreditit është një produkt që ende nuk po arrin të masivizohet shumë në tregun shqiptar.
Kjo mund të lidhet me nivelin relativisht të lartë të informalitetit dhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike, ndërkohë që karta e kreditit është një produkt i dedikuar kryesisht për pagesat jo cash.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit e kartave të kreditit për 6-mujorin e parë 2025 (për shumat e deri në 200 mijë lekë) ishte 20.29% për kartat në Lekë dhe 16.95% për kartat në Euro. Krahasuar me një vit më parë, normat mesatare të interesit kanë pësuar rënie për kartat në Euro, po janë rritur lehtë për ato në Lekë.
Në terma mesatarë, megjithatë, normat e interesit të kartave ngelen relativisht të larta në raport me produktet e ngjashme të kredisë konsumatore bankare (për shembull, overdraftet). Kjo ndodh për shkak të një shkalle relativisht të lartë të rrezikut që kartat e kreditit bartin si produkte kreditore, por edhe me ekzistencën e një periudhë faljeje, brenda të cilës klienti mund ta paguajë detyrimin pa interesa./Marrë nga Monitor