Pas tensioneve dhe kaosit që shoqëruan seancën e fundit plenare, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka caktuar datën për mbledhjen e radhës të Parlamentit të Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, seanca plenare do të zhvillohet të mërkurën, më 24 shtator 2025, në orën 10:00.
Në njoftimin për mediat, theksohet se procedurat e transmetimit të seancës do të jenë të njëjta si më parë. Mediat do të marrin sinjalin nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), ndërsa seanca do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin RTSH Kuvend dhe në faqen zyrtare në Facebook të Kuvendit të Shqipërisë.
“Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillohet ditën e mërkurë, datë 24 shtator, ora 10:00. (Urdhër nr. 9, datë 22.9.2025, i Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi).
Procedurat e transmetimit do të jenë të njëjta me ato të seancave plenare të mëparshme: makinat sinjalin do ta marrin nga RTSH dhe seanca do të transmetohet LIVE në RTSH Kuvend dhe faqen zyrtare FB të Kuvendit. Faleminderit!”, thuhet në njoftimin e Kuvendit për mediat.
Kjo seancë pritet me interes të lartë, pas zhvillimeve të fundit politike dhe debateve të ashpra në sallën e Kuvendit.
Seanca e datës 18 shtator, zgjati shumë pak dhe doli jashtë parashikimeve me përplasje të forta mes palëve, ku kryeministri Edi Rama nuk arriti ta përfundonte fjalën e tij mbi programin qeverisës, ndërsa ky i fundit u miratua mes zhurmës me 82 vota pro. Fjala e ministres virtuale ndezi debatet, pasi opozita e konsideroi tallje. Ndërkohë, Rama njoftoi se brenda këtij viti, Diella, do të jetë fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë.
Tensionet ishin të tilla saqë pati deputetë të Partisë Demokratike që gjuajtën në drejtim të kryeministrit Edi Rama me librin e Kushtetutës.
Për këtë arsye, Komisioni i Etikës në Kuvend mori masa ndaj deputetëve Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka, të cilët u përjashtuan me 10 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare.