Tiranë, 22 Shtator 2025 – Wizz Air ka kënaqësinë të njoftojë se është vlerësuar me çmimin “Linja Ajrore më e Qëndrueshme për Vitin 2025” në ceremoninë gala të ndarjes së çmimeve për qëndrueshmerinë për linjat ajrore me kosto të ulët (Airline Economics Sustainability Awards).
Ndarja e çmimeve vjetore të organizuara nga Airline Economics, nderon liderët e industrisë së aviacionit në kujdesin ndaj mjedisit, inovacionin dhe mirëqenien shoqërore, përmes nismave të zbatuara gjatë periudhës 12-mujore deri në gusht 2025. Fituesit u përzgjodhën në bazë të rezultateve të një sondazhi në mbarë industrinë, duke u mbështetur në të dhëna të thelluara për qëndrueshmërinë dhe emetimet, të siguruara nga Estuaire[1], në bashkëpunim me ekipet editoriale të Airline Economics Plus.
Juria vlerësoi Wizz Air për përparimin e matshëm në uljen e karbonit, raportimin transparent dhe planin ambicioz drejt Net Zero deri në vitin 2050, të prezantuar në prill të këtij viti. Ajo theksoi gjithashtu raportimin e hapur të Wizz Air, investimet në avionë me efikasitet të lartë karburanti dhe strategjitë operative që i japin përparësi performancës mjedisore.
“Çmimet e Qëndrueshmërisë janë një dëshmi e angazhimit në rritje të industrisë së aviacionit ndaj dekarbonizimit,” tha Victoria Tozer-Pennington, Redaktore dhe Bashkëthemeluese e Airline Economics. “Jemi krenarë të nxjerrim në pah kompanitë dhe individët që jo vetëm vendosin objektiva ambiciozë, por edhe arrijnë rezultate reale.”
Dorottya Durucsko, Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Qëndrueshmërisë në Wizz Air, u shpreh: “Jemi të nderuar të marrim çmimin ‘Linja Ajrore më e Qëndrueshme për Vitin 2025’. Ky vlerësim është një dëshmi e përkushtimit të kolegëve tanë dhe e përparimit që kemi arritur në udhëtimin tonë drejt Net Zero. Ne do të vazhdojmë të investojmë në teknologjinë e avionëve, të bashkëpunojmë për rritjen e prodhimit të karburantit të qëndrueshëm për aviacionin dhe të mbështesim reformën e hapësirës ajrore. Ky vlerësim nga Airline Economics dhe Estuaire forcon bindjen tonë se jemi në rrugën e duhur për të forcuar ekosistemin e aviacionit. Let`s Wizz!”
Gjatë vitit financiar 2025, intensiteti i emetimeve i Wizz Air ishte 52.2 gram CO2 për pasagjer për kilometër. Kompania operon një nga flotat më të reja në botë, ku mbi 70% përbëhet nga avionë ultra-efikas Airbus A321neo me një moshë mesatare vetëm 4.5 vjet, të cilët integrojnë teknologji të ndryshme që sjellin kursim shtesë karburanti. Me objektivin për të reduktuar intensitetin e karbonit me 25% deri në vitin 2030 dhe synimin që 10% e fluturimeve të fuqizohen nga karburanti i qëndrueshëm i aviacionit (SAF) deri në të njëjtin vit, strategjia afatgjatë e Wizz Air mbështetet në tre shtylla:
- Fluturime: 30% ulje e emetimeve përmes teknologjisë së re të avionëve dhe rinovimit të flotës;
- Karburant: 53% ulje e emetimeve përmes SAF;
- Gjurmë mjedisore: 4% ulje e emetimeve përmes modernizimit të menaxhimit të trafikut ajror.
[1] Anketa përfshinte të dhëna të thelluara mbi qëndrueshmërinë dhe emetimet, të cilat u siguruan nga kompania Estuaire.