Teksa u mbushën dy vite nga sulmi serb dhe vrasja e oficerit Afrim Bunjaku, udhëheqësit e Kosovës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm.
Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, Bunjaku u vra gjatë një sulmi të organizuar nga një grup serbësh të armatosur. Me gjithë përgjegjësinë e marrë nga Radoiçiq për këtë sulm, ai vazhdon të jetojë i lirë në Beograd, pa u ndëshkuar nga autoritetet serbe.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi gjatë homazhit tek varri i Bunjakut se Serbia nuk mund të konsiderohet një shtet normal pa dorëzuar kriminelët e përfshirë në këtë akt terrorist.
Kosova ka ngritur aktakuza ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, por vetëm tre prej tyre janë duke u gjykuar, ndërsa të tjerët mbeten të paarritshëm për autoritetet kosovare.
Kurti kërkon që të gjithë të akuzuarit të dorëzohen menjëherë, duke theksuar se rënia e Bunjakut ishte një sakrificë që forcoi sovranitetin dhe reputacionin e Kosovës. Serbia vazhdon të refuzojë ekstradimin, duke thënë se të akuzuarit do të gjykohen në vendin e tyre.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë e cilëson të papranueshme që pas dy vitesh, autori kryesor i sulmit të jetojë i lirë dhe kërkon drejtësi të shpejtë dhe pa vonesa. Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar veprime konkrete nga Serbia. RTSH







