Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, përveç miratimit të shkarkimit të Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, janë marrë edhe vendime të tjera.
Gazetarja Klesiana Omeri raporton se në kuadër të ndryshimeve të fundit në strukturën qeveritare, janë bërë emërime të reja në disa poste të larta. Mes tyre, Silva Caka është emëruar zv.ministre e Punëve të Brendshme, duke u larguar zyrtarisht nga Partia e Lirisë. Ajo zëvendëson kështu ish-zëvendësministrin Andi Mahila, të shkarkuar ditë më parë nga ministrja Albana Koçiu, pasi u fotografua duke pirë cigare në ambientet e brendshme të një lokali
Ndërkohë, Edona Bilali merr detyrën e zv.ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku do të angazhohet për zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve strategjike në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës. Një rikthim në skenën qeveritare bën edhe Eugena Tomini, e cila është emëruar si zv.ministre e Shëndetësisë, detyrë të cilën e ka mbajtur edhe më parë.
Këto ndryshime merren në të njëjtën ditë, kur Këshilli i Ministrave ka shkarkuar zyrtarisht nga detyra kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj . Mbledhja e mbajtur këtë të enjte, 25 shtator, është e para mbledhje e qeverisë “Rama 4”.