Në përfundim të Javës Kulturore Kineze, Tirana do të shndërrohet në skenë ku do të marrin jetë arti dhe kultura hungareze.
Aktivitetet e Javës Kulturore Hungareze do të zhvillohen nga 29 shtatori deri më 2 tetor. Organizatorët e Javëve Kulturore Ndërkombëtare (JKN) bënë të ditur se, kjo javë sjell një përvojë të pasur, ku historia dhe traditat ndërthuren me krijimtarinë bashkëkohore, duke ofruar një eksperiencë përmes artit, muzikës, modës dhe gastronomisë autentike.
Vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë ekspozita artistike e fotografike, të ndjekin koleksionet e modës dhe performanca muzikore live, të njihen me mjeshtërinë e punimeve artizanale dhe të përjetojnë shijet unike të kuzhinës hungareze.
Java Kulturore Hungareze është një festë e kreativitetit, mjeshtërisë dhe shpirtit artistik, një pasqyrë e identitetit të fortë kombëtar të Hungarisë, i formuar nga shekuj historie dhe gjithmonë i hapur ndaj dialogut dhe shkëmbimit kulturor me botën.
JKN fton artdashësit të mos humbasin një mundësi të rrallë si kjo, për të zbuluar dhe përjetuar nga afër pasurinë e kulturës hungareze.