HomeKultureTë rinj arbëreshë nga Molise, turne nëpër Shqipëri. Dy artistë shqiptare koncert...

Të rinj arbëreshë nga Molise, turne nëpër Shqipëri. Dy artistë shqiptare koncert në Vjenë. Kompozitorja shqiptare, sukses në Kanada me operën ku integrohet IA

Advertismentspot_img

Një grup të rinjsh arbëreshë përfunduan turneun e tyre nëpër Shqipëri, gjatë të cilit vizituan qytete dhe objekte të trashëgimisë kulturore.

Kjo vizitë erdhi si një ide e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). QSPA-ja u bë stacioni i fundit i turit të tyre, duke simbolizuar një lidhje të fortë midis rrënjëve dhe të ardhmes.

Drejtoresha Ekzekutive, prof. Diana Kastrati, mirëpriti grupin e të rinjve arbëreshë nga Molise. Ata ndanë emocionet dhe përshtypjet nga vizitat në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Të rinjtë arbëreshë treguan për përjetimet e tyre, për takimet me njerëz të ndryshëm, si dhe për mikpritjen që gjetën kudo. Me entuziazëm dhe kënaqësi, ata theksuan se kjo eksperiencë do të mbetet e paharruar, duke u bërë një urë e re e komunikimit dhe afërsisë me atdheun e të parëve.

QSPA u shpreh online se, ky aktivitet u realizua nën kujdesin e veçantë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, duke dëshmuar edhe një herë vëmendjen e institucioneve shqiptare ndaj komuniteteve arbëreshe dhe brezave të rinj që mbartin këtë trashëgimi të çmuar kulturore

.Dy artiste shqiptare koncert në Mozarthaus, në qendër të Vjenës

Në Mozarthaus në Vjenë, për herë të parë do të realizohet një koncert ku interpretojnë si duo dy shqiptare.

Koncerti do të zhvillohet nesër në mbrëmje. Artistet shqiptare Ina Kosturi dhe Rejsi Prosi do të interpretojnë pjesë nga Alberto Ginastera, Ina Kosturi dhe Aaron Copland.

Mozarthaus Vienna është një muze, kushtuar jetës dhe veprës së Wolfgang Amadeus Mozart. Ai përmban një sallë koncertesh, Bösendorfer-Saal, e cila pret koncerte të muzikës së dhomës dhe ngjarje të tjera për shkak të akustikës së saj të shkëlqyer.

Artistet shqiptare Ina Kosturi dhe Resji Prosi, do të interpretojnë aty, përkatësisht në violinë dhe piano. Tre vepra: “Sonata për violinë e piano”, “Improvisation for violin solo” dhe “Greetings from Vienna” janë kompozime të botuara nga shtëpia e famshme vieneze Universal Edition.

Ina Kosturi është violiniste, interpretuese-kompozitore, publiciste dhe profesoreshë e asociuar e violinës në Universitetin e Arteve në Tiranë. Që kur u diplomua për violinë në institucionet shqiptare dhe italiane iu përkushtua interpretimit dhe mësimdhënies, duke debutuar si soliste dhe më pas duke u evoluar në interpretuese-kompozitore.

Gjatë viteve pas diplomimit, ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme koncertesh dhe recitale. Ajo ka performuar si soliste në skenën shqiptare, ka marrë shumë çmime dhe ka bashkëpunuar me artistë të njohur italianë. Repertori i saj shtrihet nga muzika e hershme e barokut deri tek muzika bashkëkohore, duke përfshirë pjesë standarde dhe më pak të njohura.

Ndërsa Rejsi Prosi është një pianiste koncertesh dhe aktualisht po ndjek studimet master në Universitetin e Muzikës dhe Arteve të Bukura në Graz të Austrisë, nën drejtimin e profesorëve Libor Novacek dhe Eike Straub. Që nga nëntori 2024, ajo ka qenë fituese e bursës prestigjioze “Live Music Now Steiermark” e themeluar nga Yehudi Menuhin. Ajo ka fituar çmime të para në garat ndërkombëtare në Itali, Francë, SHBA, Slloveni dhe Republikën Çeke, duke përfshirë një performancë solo në Carnegie Hall në mars 2023.

Kompozitorja shqiptare, sukses në Kanada me operën ku integrohet IA

Opera “Meladramma AI” është e para opera me integrim të Inteligjencës Artificiale në Kanada. Ajo është vepër e kompozitores shqiptare Olsa Toqi.

Me vënien në skenë të “Meladramma AI”, kompozitorja shqiptare shënoi një sukses ndërkombëtar, në teatrin historik Regent Theatre në Oshawa, Kanada.

Premiera u prit me duartrokitje të gjata nga publiku. Opera përfshinte animacione të krijuara në kohë reale dhe elementë multimedialë interaktivë. Vepra u soll në skenë me interpretimin e jashtëzakonshëm të sopranove Lindsay McIntyre, Stephanie DeCiantis, Jonelles Sills dhe Reilly Nelson.

Koncepti i operës lindi nga një bashkëbisedim mes kompozitores Olsa Toqi dhe dr. Carolyn McGregor, dekane e Ontario Tech University dhe bashkëpunëtore në NASA. McGregor sugjeroi integrimin e AI, duke e kthyer projektin në një nismë kërkimore e shkencore, si dhe në një platformë krijuese për studentët e teknologjisë dhe IT-së në Ontario Tech.

Opera paraqet një përmbysje poetike të mitit të mollës: njerëzit kafshojnë një mollë robotike, ndërsa robotët kërkojnë të bëhen njerëzorë duke kafshuar mollën organike. Në vend që të vishen si Adami dhe Eva, ata zhvishen nga çdo mëkat falë një ndërhyrjeje hyjnore.

Pas pesë arieve me tematikë pagane, që simbolizojnë dominimin e gjatë të paganizmit në historinë njerëzore, dhe një monologu dramatik të të Ligut, vepra përmbyllet me një “Halleluja” triumfale, ku njerëzit dhe robotët përulen së bashku në një akt përbashkues përpara Zotit.

Në premierë ishin të pranishëm personalitete të shumta, ndër ta edhe ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo. Opera është planifikuar të shfaqet së shpejti edhe në Toronto dhe qytete të tjera kanadeze.

“Meladramma AI” vjen pas sukseseve të tjera të kompozitores Olsa Toqi. Në vitin 2019, opera e kompozuar prej saj, pati premierën botërore në Teatro del Giglio në Lucca të Italisë, një nga teatrot më prestigjioze të operës në rajon. Më pas, vepra u prezantua edhe në Shqipëri, në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë dhe në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë. 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular