Edoardo Sarchi, biznesmeni italian që u vra në Salari të Tepelenës, raportohet se ishte pronar i fabrikës së tullave “Tegola Edil Centro” në kryeqytet.
Mësohet se 44-vjeçari italian jetonte prej 20 vitesh në kryeqytet dhe ndodhej në zonë pasi kishte dalë për gjah.
Sipas burimeve, viktima udhëtonte në automjet me persona të tjerë kur një person i armatosur ka dalë para duke qëlluar drejt tyre.
Pas sulmit drejtuesi i mjetit raportohet se ka vijuar rrugën me shpejtësi.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”.
Disa persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa është shpallur në kërkim një person me iniciale G. B., si autor i dyshuar i ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Tepelenë/Informacion paraprak
Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.