Kosova gjendet prej muajsh në një krizë politike që rrezikon të kthehet në një krizë financiare. Nëse deri në dhjetor Kuvendi nuk arrin që ta miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, atëherë vendi rrezikon të përballet me një krizë financiare edhe në pushtetin lokal.
“Nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin që deri në fund të dhjetorit ta miratojë buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm, Kosova ka buxhet vetëm për janarin e vitit 2026… në të kundërtën, që nga 1 marsi Kosova do të ketë krizë financiare të jashtëzakonshme që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, tha Sazan Ibrahimi – drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Partitë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka edhe 3 ditë afat për të dhënë vendimin për ankesën e Listës Serbe. Partitë e opozitës bëjnë përgjegjës Albin Kurtin për situatën.
“Krejt ky problem është i krijuar në vazhdimësi prej fituesit të zgjedhjeve për shkak të mungesës së shumicës politike në Kuvend”, tha Alban Zogaj – deputet i LDK.
“Është e qartë që për më shumë se një vit Kurti është i interesuar që të mos ketë parlament mbi të cilin duhet të jepet llogaria dhe gjithashtu Kurti e di qartazi që e ka të pamundur të formojë qeveri. Ai është i identifikuar si tradhtar i të gjitha marrëveshjeve politike, qoftë me individ, qoftë me parti politike”, tha Haki Abazi – përfaqësues i AAK.
Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për vendimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.