Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Tiranë ka zhvilluar sot më 29 shtator, një konferencë për mediat, ku njoftuan se në datën 17 Tetor në Sheshin Skënderbej në Tiranë do zhvillohet një protestë në mbështetje të ish-luftëtarëve që po gjykohen në Hagë, duke e cilësuar këtë si “një moment historik“.
Përfaqësuesit e organizatës theksuan se ndërkohë që çlirimtarët ndodhen pas hekurave në Hagë, “kriminelët e vërtetë, janë të lirë”. Ata bënë thirrje për unitet kombëtar dhe solidaritet me luftëtarët e Kosovës: “Sot jemi të gjithë UÇK. Motoja jonë është drejtësi dhe liri për UÇK-në.”
Gjithashtu gjatë konferencës, drejtuesit theksuan se “UÇK ka shkruar një nga epopetë” më të lavdishme të historisë shqiptare dhe çdo shqiptar duhet të jetë krenar për këtë trashëgimi.
Në përfundim të deklaratës, u shtua një krahasim simbolik me historinë amerikane: “Po të akuzohej George Washington në SHBA, çfarë do të ndodhte?”, duke nënkuptuar absurditetin e gjykimit të atyre që konsiderohen heronj kombëtarë në Kosovë.
Përveç protestës që do të mbahet në Tiranë në datën 17 tetor, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, do të ketë edhe nje mareshim me motora drejt Hagës.
Kjo është konfirmuar nga organizatorët e platformës “Liria ka Emër”, të cilët kanë njoftuar se udhëtim me motoçikleta drejtë Hagës do të nisë nga 15 tetori dhe do të kalojë përmes disa vendeve evropiane.
Më 17 tetor motoristët do të jenë në Zyrih dhe për ta vazhduar më pas drejt Hagës, ku do të mbërrijnë në datën 19.
“Të dielën më 19 tetor karvani do të mbërrijë në Hagë. Ky marshim nuk është vetëm një udhëtim me motora por një zë i fuqishëm për lirinë, një thirrje për drejtësinë dhe një kujtesë që sakrificat tona nuk harrohen”, tha në videon e publikuar ideatori i platformës, Ismail Tasholli. Ky marshim do të kalojë nëpër disa shtete evropiane, përpara se të mbërrijë në Hagë.