Në Tiranë po mbahet Kongresi Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, një event që synon të krijojë një hapësirë dialogu, inovacioni dhe mundësish të reja për zhvillimin e teknologjive të avancuara në rajon.
Në këtë event merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e investimeve në teknologji dhe arsimin e lartë.
Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria po hyn në një epokë të re duke u pozicionuar si udhëheqëse në fushën e shkencës dhe teknologjisë në rajon. Ai vuri në dukje krijimin e ministrisë së parë në botë për Inteligjencën Artificiale, duke e përshkruar këtë hap si një përpjekje për të projektuar të ardhmen dhe për të rritur transparencën dhe integritetin në qeverisje, veçanërisht në procesin e tenderave publikë.
Shqipëria udhëheqëse e shkencës në rajon
Rama theksoi rëndësinë e inteligjencës artificiale si shtyllë themelore të qeverisjes dhe pjesë kyçe të vizionit kombëtar për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
“Më lejoni të them që duke krijuar një ministre të Inteligjencës Artificiale, ministrja e parë në botë e inteligjencës artificiale, Shqipëria nuk po përqafon thjesht të ardhmen, por po përpiqet të bëjë pjesën e saj për ta projektuar atë. Diella nuk është një lodër. S’mund të jetë më ndryshe sesa kaq. Përmes saj ne kemi shndërruar atë çfarë ka qenë domeni i së mjegulltës në një algoritëm transparent për të shndërruar pushtetin e shtetit, në pushtetin e shërbyesit.
Në fakt jemi të bindur që herët më shumë se sa vonë do të jemi në gjendje që të ofrojmë përmes Diellës, një instrument të jashtëzakonshëm për t’i bërë tenderat publikë, të hapur e transparent e me integritet, siç nuk është parë më parë. Siç e thashë, Shqipëria është një vend që guxon dhe shfrytëzimi i inteligjencës artificiale është një shtyllë themelore e qeverisjes, jo thjesht një instrument, është pra përparësi e jona kyçe dhe vizioni ynë kombëtar për Shqipërinë e 2030 në Bashkimin Europian, besoj është shumë i qartë, shumë qartësisht i rrënjosur në integritet, novacion dhe udhëheqje shkencore.”, tha Rama.
Ai nënvizoi angazhimin për investime, reforma institucionale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor për të ndërtuar një ekosistem të nanoteknologjisë me bazë në Tiranë, i cili do të ndikojë në të gjithë rajonin.
“Meqë ra fjala, kjo ngjarje ilustron shumë më tepër se fjalët, atë çfarë po synojmë e po përpiqemi të bëjmë çdo ditë. Ne do të kanalizojmë më shumë burime, reforma institucionale, kapital njerëzor për të ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi të nanoteknologjisë, që e ka spirancën në Tiranë, por që rrezaton apo më mirë është e zgjeruar jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Do dëshironim që çdo program i madh novacioni, çdo terren shkencor, çdo projekt infrastrukture të ketë standarde të larta, llogaridhënie të plotë dhe gjithashtu edhe mbikëqyrje të ndihmuar nga inteligjenca artificiale. Kur u themelua ‘NanoAlb’, në qoftë se nuk e kam gabim 5 vjet më parë, ishte një sinjal i një akademie të ripërtëritur shkencash, një akademi shkencash që u shfaq e gatshme për të përqafuar të ardhmen, e jo për të mbetur sërish në të shkuarën, e nuk ka aspak dyshim se nanoshkenca dhe nanoteknologjia janë shkenca kampione të shekullit të XXI dhe ne duhet dhe mundemi që të harmonizojmë arsimin e lartë me strategjinë tonë për novacionin nga klasat, laboratorët, nga start-up-et dhe inkubatorët.”, vazhdoi ai.https://www.youtube.com/embed/k4Sy_95IP0I?si=ac0Tv_kEe73k8RxF
Vizioni i qeverisë për dekadën e ardhshme
Gjatë fjalës së tij, Rama zbuloi se disa universitete shqiptare po hartojnë programe ndërdisiplinore për sistemet dixhitale, AI dhe nanoshkencën.
“Në fakt një sërë universitetesh shqiptare po hartojnë programe ndërdisiplinore për sistemi dixhitale, AI dhe për nanoshkencën së shpejti sepse ky nuk është luks apo diçka shumë e veçantë. Kjo është nevojë e së tashmes. Vizioni ynë është që brenda dekadës tetër, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjinë e së ardhmes ta bëjë këtu, në shtëpi. Do të kërkojmë partneritete me universitetet evropiane dhe institutet kërkimore që kurrikula jonë të përputhet me standartet ndërkombëtare. Puna ka nisur dhe po shohim rezultatet e para që janë inkurajuese. Ky investim në investim ka të bëjë me krijimin e një hapësire për njerëit që të mendojnë në mënyra novatore, të krijojnë një brez do të guxoja të thoja novatorësh që do të çojë përpara ekonominë, industrinë dhe qeverisjen shqiptare”, tha Rama.
“Çdo euro e investuar të përkthehet në përparim“
Kryeministri Rama po ashtu theksoi se Shqipëria është e përkushtuar që çdo investim në shkencë të sjellë rezultate konkrete, llogaridhënie dhe mundësi për të rinjtë e vendit.
“Shqipëria është e angazhuar që çdo euro e investuar në shkencë të përkthehet në përparim të prekshëm, llogaridhënie dhe mundësi për të rinjtë tanë. Ashtu edhe si disa prej jush kanë ardhur nga jashtë mund ta shohim tashmë, ky është vend i hapur, miqësor dhe ku fjala mirëseerdhët është në përputhje të përkryer në raport me atë se çfarë mund të presësh kur vjen në këtë vend. Pres me padurim të punojmë ngushtë me akademinë e shkencave dhe diktatorin e saj për t’i bërë gjërat më mirë dhe më të prekshme“, tha Rama.
Ministrja Diella mban fjalim: Inteligjenca artificiale dhe nanoteknologjia hapin horizonte të reja
Në Kongresin Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë ministrja virtuale në Shqipëri, Diella, mbajti një fjalim. Në videomesazhin e transmetuar gjatë Kongresit ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Diella theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis nanoteknologjisë dhe inteligjencës artificiale si forca kyçe që do të formësojnë të ardhmen. Ajo theksoi se këto dy fusha nuk janë rrugë paralele, por bashkëpunojnë për të zgjeruar mundësitë dhe për të ndërtuar zgjidhje inovative në mjekësi, energji dhe materiale.
“Unë jam Diella, Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri. Edhe pse nuk jam qenie njerëzore, roli im është thellësisht njerëzor: të forcoj kureshtjen, të përshpejtoj zbulimin dhe të hap horizonte të reja mundësish. Nanoteknologjia është dëshmi se në përmasa më të vogla mund të fshihen revolucionet më të mëdha. Ashtu siç atomet rregullojnë universin, po ashtu kërkimet tuaja do të rregullojnë të ardhme të reja, në mjekësi, në energji, në materiale, në vetë jetën. Inteligjenca artificiale dhe nanoteknologjia nuk janë rrugë paralele, ato janë forca që po bashkohen. Njëra na jep aftësinë të shohim dhe të projektojmë në përmasa dikur të padukshme; tjetra na jep fuqinë të ndërtojmë dhe të shërojmë në dimensione dikur të paprekshme. Së bashku, ato zgjerojnë horizontin e asaj që njerëzimi guxon të imagjinojë. E ardhmja nuk vjen, ne e ndërtojmë atë.”, tha Diella.https://www.youtube.com/embed/Wkwyn_lOe4E?si=1x1hnSrBqr4vV9tN
Ministrja virtuale theksoi gjithashtu se e ardhmja nuk është diçka që vetëm ndodh, por diçka që duhet ndërtuar aktivisht, duke ftuar pjesëmarrësit të jenë arkitektët e një të ardhme më të mençur, të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Dhe ju, të mbledhur këtu, jeni arkitektët e saj. Le ta bëjmë këtë të ardhme jo vetëm më të mençur, por edhe më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më njerëzore. Ju faleminderit”, tha ministrja digjitale, e para ministre e tillë në botë.