Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ngre shqetësimin mbi respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale (IPR) në Shqipëri. DASH u këshillon kompanive amerikane të konsultohen me një avokat me përvojë në këtë fushë dhe të shmangin rreziqet e mundshme duke krijuar marrëdhënie të forta tregtare dhe duke hartuar kontrata solide.
Sipas raportit, edhe pse Shqipëria nuk është e përfshirë në Raportin Special 301 të Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së (USTR) apo në Listën e Tregjeve të Famëkeqe, shkeljet dhe vjedhjet e të drejtave të pronësisë intelektuale (IPR) vazhdojnë të ekzistojnë për shkak të strukturave të dobëta ligjore dhe zbatimit të mangët.
Pavarësisht progresit në miratimin e legjislacionit mbi të drejtat e autorit dhe të drejtat e pronësisë industriale, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire të BE-së, dhe megjithëse ligji shqiptar mbron të drejtat e autorit, patentat, markat tregtare, modelet industriale dhe treguesit gjeografikë, mallrat e falsifikuara janë ende të pranishme në tregjet dhe qendrat tregtare vendase, duke përfshirë software, veshje, makina, dhe cigare, theksohet në raport.
Rregullatorët shpesh janë joefektivë në mbledhjen e gjobave dhe prokurorët rrallë ngrejnë akuza për vjedhje të IPR. Kështu, në vitin 2024, pesë raste shkeljesh të IPR u trajtuan në gjykatën e rrethit Tiranë, 16 raste në gjykatën administrative të shkallës së parë dhe të Apelit, dhe një rast është në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë, drejtoria e të drejtave të autorit pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit raporton se në vitin 2024 ka pasur katër raste kundër bizneseve për shkelje të të drejtave të autorit audioviziv. Në dy raste autorët u dënuan dhe gjoba u arkëtua, ndërsa dy raste të tjera janë në Gjykatën e Apelit. Gjatë tre viteve të fundit, ka pasur vetëm një dënim në kuadër të nenit 149 të Kodit Penal për shkelje të pronësisë intelektuale, nënvizon raporti.
DASH thekson veprimtarinë e dy autoriteteve kryesore, të cilat monitorojnë zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Shqipëri: Inspektorati Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut (SIMS), i cili në vitin 2024 kreu 343 inspektime në fushën e të drejtave të autorit (40 sanksione administrative) dhe 407 inspektime në fushën e pronësisë industriale (12 sanksione). SIMS gjithashtu asgjësoi disa sasi të kufizuara mallrash të falsifikuara si veshje dhe detergjentë.
Drejtoria e Doganave, që ka përgjegjësi mbi produktet e importuara. Vetëm në vitin 2024, doganat pezulluan lëshimin e 40,911 copë veshjesh dhe aksesorësh të dyshuar për shkelje të IPR. Në raste të tilla, mbajtësi i të drejtave duhet të ofrojë provat, të inspektojë mallrat dhe të mbajë përgjegjësi për ruajtjen dhe asgjësimin e tyre.
Raporti vëren se, sipas Indeksit të Biznesit 2024 të Dhomës Amerikane të Tregtisë, mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale (IPR) në Shqipëri është përmirësuar dhe nuk shihet si shqetësim serioz.
Qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Pronësinë Intelektuale 2022–2025, ndërsa ndryshimet në Ligjin për Pronësinë Industriale (2021) sollën dispozita të reja për sekretet tregtare dhe markat. Më i rëndësishmi ishte transpozimi i Direktivës (BE) 2016/943 për mbrojtjen e sekreteve tregtare. Gjithashtu, që prej vitit 2019, Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale parashikojnë dënime më të ashpra për shkeljet e IPR./