Ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të vitit 2025. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto, në terma realë, është rritur me 3,51% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kontributin më të madh në këtë rritje e ka dhënë sektori i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë, me +1,65 pikë përqindje. Pas tij renditen Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor me +0,47, si dhe sektori i Pasurive të Paluajtshme, me një kontribut prej +0,37 pikë përqindje.
Ndërtimi, aktivitetet profesionale dhe ato të informacionit e komunikacionit kanë kontribuar gjithashtu pozitivisht, ashtu si edhe Taksat Neto mbi produktet, me një ndikim pozitiv prej +0,87 pikë përqindje.
Megjithatë, sektori i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit ka shënuar një ndikim negativ prej -0,46 pikë përqindje, ndërsa Industria, Energjia dhe Uji kontribuan me -0,18 pikë përqindje.
Rritja më e madhe ekonomike është regjistruar në Administratën Publike, Arsimin dhe Shëndetësinë, me 15,11% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Rritje pozitive kanë shënuar gjithashtu:
Pasuritë e Paluajtshme, me 7,86%,
Informacioni dhe Komunikacioni, me 5,38%,
Aktivitetet argëtuese dhe shërbimet e tjera, me 5,07%,
Shërbimet profesionale dhe administrative, me 3,88%,
Tregtia, Transporti dhe Akomodimi, me 2,72%,
Ndërtimi, me 2,68% dhe
Financa dhe Sigurimet, me 1,96%.
Nga ana tjetër, Bujqësia ka pësuar rënie me 2,49%, ndërsa Industria ka shënuar ulje me 1,79%. Taksat neto mbi produktet janë rritur me 6,53%.
Rritja tremujore (krahasuar me tremujorin I 2025)
Nëse krahasojmë me tremujorin e parë të këtij viti, PBB-ja e përshtatur sezonalisht ka shënuar një rritje prej 0,87%.
Rritja më e lartë vjen nga sektori i Informacionit dhe Komunikacionit, me 3,11%, ndjekur nga Aktivitetet profesionale dhe administrative me 2,63%, dhe Ndërtimi, me 1,34%. Rritje janë regjistruar edhe në sektorët e arsimit, tregtisë dhe pasurive të paluajtshme.
Ndërkohë, rënie kanë pësuar sektorët:
Arte, Argëtim dhe Shërbime të tjera, me -2,43%,
Financat dhe Sigurimet, me -0,95%,
Industria, Energjia dhe Uji, me -0,83%, dhe
Bujqësia, me -0,62%.
Po ashtu, Taksat Neto mbi produktet kanë rënë me 1,43%.
Ekonomia nga ana e shpenzimeve
Sipas metodës së shpenzimeve, rritja më e madhe i përket konsumit final të qeverisë, i cili u rrit me 12,44% në terma realë, ndërsa konsumi i popullatës u rrit me 3,88%.
Formimi bruto i kapitalit fiks, një tregues kyç për investimet, u rrit me 4,33%. Eksportet u rritën me 0,97%, ndërsa importet me 3,26%.
Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, konsumet dhe investimet kanë vijuar të rriten:
Konsumi i popullatës: +1,36%,
Konsumi i qeverisë: +1,08%,
Investimet në kapital fiks: +0,43%,
Eksportet: +1,03%,
Importet: +2,61%.
Të dhënat e INSTAT për tremujorin e dytë të vitit 2025 konfirmojnë një ecuri të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, e nxitur kryesisht nga sektori publik dhe shërbimet. Megjithatë, performanca e dobët e bujqësisë dhe industrisë tregon për nevojën e ndërhyrjeve më të thella strukturore në këto sektorë.