Kryeministri Edi Rama ka dhënë njoftimin se nga dita e sotme pagesa e taksave të mjeteve do të bëhet online.
Rama shprehet se pagesa do të bëhet në e-Albania, ndërsa ka publikuar edhe një video ilustruese.
“MIRËMËNGJES 😊 dhe me një tjetër shërbim të ri, që nis nga sot, pagesa e taksave të mjeteve ONLINE në e-Albania, ju uroj një ditë të mbarë 🫶”, shkroi kreu i qeverisë.
Ky shërbim i ri është rezultat i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). Për herë të parë, qytetarët mund të paguajnë taksat e mjeteve me disa klikime, duke eliminuar kostot shtesë të kohës dhe udhëtimit. Sipas të dhënave të paraqitura në viden e publikuar nga kryeministri, implementimi i kësaj risie sjell përfitime konkrete:
57 milionë e 965 mijë e 408 lekë të kursyera nga qytetarët
11 mijë e 501 ditë pune të kursyera në total
4 milionë e 731 mijë e 870 kilometra udhëtime të shmangura
331 mijë e 231 litra karburant të kursyera
Ky zhvillim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të zgjeruar qasjen ndaj shërbimeve publike online dhe për të reduktuar ndërveprimet fizike mes qytetarëve dhe sporteleve, një objektiv i rëndësishëm në kuadër të reformës së digjitalizimit të administratës publike.