Raundi i dytë i regjistrimeve nisi në fillim të kësaj jave për të gjithë ata studentë që ende nuk e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, ka sqaruar se për këtë raund kanë aplikuar mbi 6000 maturantë dhe se të gjithë do të mund të regjistrohen në programet që rezultojnë me ngjyrë jeshile deri më 8 tetor.
“Patëm një ecuri të mirë tani në raundin e dytë, patëm 6300 aplikantë. Në raudin e parë, në ditën e parë, dje kemi pasur 1700 apikantë, gati 25 për qind e aplikantëve regjistruan. Tani të shikojmë si do jetë ecuria e ditës së dytë, por gjithmonë e pritshme që dita e parë ka ecuri më të madhe pasi maturantët që kanë aplikuar për degët të caktuar shikojnë që ka degë dhe shkojnë regjistrohen direkt. Pritet që të jetë raundi i dytë, ky numër që kanë qenë aplikantë, pra 6300 aplikantë të regjistrohen të gjithë. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë besojmë këtë vit do ta kalojmë stekën e 22 mijëshit”, tha z. Xhelaj.
Kuota të lira kanë mbetur edhe në shumë programe të preferuara, ndërsa kërkesë në rritje për këtë fazë të parë të raundit të dytë ka pasur edhe për programe 2-vjeçare profesionale.
“Pati një ecuri të mirë, të shpejtë 2–vjeçare dhe ato programe ku kishin ngelur kuota nga programet e kërkuar, të tipit si inxhinieri, IT ose dhe degë infermierie ose shëndeti ku kishin ngelur kuota minimale nga raundi i parë. Gjithmonë në raundin e parë ecin këto, kur ezaurohen këto, pastaj vijojnë edhe me programe të tjera“, nënvizoi ai.
Procesi i regjistrimit do të përmbyllet me raundin e tretë, ku të gjithë aplikantëve u jepet mundësia të regjistrohen në programet ku kanë mbetur kuota të lira, nga 13–24 tetor. RTSH/Gazetare: Keti Toroveci







