nga Azgan Haklaj
Në konventën promovuese të Aleancës Kombëtare për Integrim prijësi i saj Ali Ahmeti jo vetëm për nga toni por më shumë nga përmbajtja dha ndoshta paralajmërimin më serioz dhe më të vendosur që pas luftës çlirimtare të shqiptarëve në ato troje të 24 viteve më parë.
Ai ju drejtua kryeministrit maqedon Mickovski drejtpërdrejtë por në fakt ky apel shkonte përtej tij.
Ajo ishte thirrje për të gjithë atë stan nacional-shovinistësh në këtë shtet të cilët të inkurajuar nga Rusia e instruktuar nga Serbia po intensifikojnë jo vetëm provokimet e rënda por dhe veprimet anti-kushtetuese agresive e denigruese ndaj shqiptarëve duke tentuar të cënojnë deri dhe simbolet e tyre të shenjta nacionale.
Ali Ahmeti paralajmëroi po aq seriozisht dhe ata shqipfolës të cilët me ndërgjegje po behen vegla, argatë e lakej të ndërsyer nga ultranacionalistët maqedonas.
Krahasimet metaforike prej Ali Ahmetit që “Shqiponjat fluturojnë lart në kaltërsi” nuk janë letrarizma e folklorizma elektorale.
Ali Ahmeti flet me shpirt e din ç’farë flet, pse flet e kur flet.
Historia e ka provuar se sentencat e tij janë shndërruar në realitete.
Ai gjeti rastin që në zemër të Maqedonisë së Veriut në një miting të paparë prej kohësh për nga pjesëmarrja e entuziasmi të lëshonte paralajmërimim më serioz në Ballkan që prej vitit 2001!
Dhe paralajmërimi të mos harrojmë ta theksojmë se nuk vjen nga një politikan megalloman e mitoman për efekte zgjedhore por nga burri i madh i shqiptarëve Ali Ahmeti i cili e ka stampuar në kujtesën e kombit tonë, Europës dhe më gjërë vendosmërinë e dinjitetin, lirinë dhe drejtësinë njerëzore.
Pa Ali Ahmetin e burrat si ai që dhanë gjak e jetë jo vetëm nuk do kishte sot në këtë vend balanca multietnike që tentojnë t’i zhdukin por as vetë Maqedoni.
Ndaj ky paralajmërim duhet të lexohet saktë e me mendje të kthjellët dhe të konsiderohet me seriozitet.
Është kambanë alarmi që ushton nga ndërgjegjja e Kombit Shqiptar.
Është kohë luftrash e pështjellimesh të mëdha globale, kohë trazirash e mjegullnajash ku ujqërit e çakejtë e uritur tentojnë të përfitojnë.
“Daullet bien për ata që kanë veshë”, është shprehja e lashtë që sot më shumë se kurrë është aktuale.