Dimri po troket më herët në Shqipëri. Duke nisur nga mbrëmja e sotme e për tre ditë me radhë vendi do të përfshihet nga ulje temperaturash tipike të dimrit, ku termometri do të zbresë në minus duke na shfaqur edhe reshjet e para të dëborës.
“Do të ketë stuhi ere, rrebeshe shiu. Do jetë i goditur veri-veriperëndimi, por edhe zonat jugpore. Reshjet e para të dëborës në zonat e thella malore. Një vjeshtë me tipare dimri që do të zgjasë të paktën tre ditë. Zbret termometri në 3-4 gradë minimalet, dhe ka një rënie me të paktën 7 gradë në vlerat maksimale. E enjtja, e premtja dhe e shtuna ditë tipike dimri. Minus 1 në zonat e thella malore”, tha meteorologia Lajda Porja.
E enjtja do të sjellë stuhi shiu, ndërsa ditët në vijim do të përballemi me ulje të ndjeshme të temperaturave.
“Reshjet më problematike do të jenë ditën e enjte. E premtja dhe e shtuna do jenë ditë më të ftohta.”
Duke nisur nga java tjetër vendi i rikthehet vjeshtës me temperatura mbi 25 gradë.
“Duke filluar nga java tjetër pas ditës së martë, kemi sërish temperatura tipike vjeshte. 25 gradë, apo edhe 27 gradë.”
I gjithë muaji tetor do të jetë me temperatura tipike vjeshte dhe herë pas here me reshje shiu.