Presidenti Donald Trump ka njoftuar sot, 30 shtator, se gjiganti farmaceutik Pfizer ka pranuar të ulë ndjeshëm çmimet e disa barnave me recetë për të gjithë qytetarët amerikanë.
Po ashtu, kompania do t’i ofrojë ilaçet për Medicaid me çmime më të lira. Barnat pritet të shiten edhe online, përmes një faqeje të re qeveritare që do të quhet “TrumpRx”.
“Jam i lumtur të njoftoj se Pfizer, një nga kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë, ka rënë dakord të ofrojë një numër të madh ilaçesh me zbritje të mëdha”, deklaroi Trump nga Zyra Ovale.
CEO i Pfizer-it, Albert Bourla, i cili ishte i pranishëm gjatë njoftimit, pranoi se kërcënimi i Trump për të vendosur tarifa 100% mbi barnat e prodhuara jashtë SHBA-ve e detyroi kompaninë të vepronte shpejt.
Trump tha se çmimet e reja do të hyjnë në fuqi menjëherë dhe se disa barna mund të ulen deri në 50%, duke kursyer qindra miliona dollarë për qytetarët dhe taksapaguesit amerikanë.
Presidenti theksoi se për shumë vite amerikanët kanë paguar më shtrenjtë se të gjithë.
“Tani do të paguajmë të njëjtat çmime që paguajnë vendet e tjera të zhvilluara”, tha Kreu i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa Bourla e quajti një “ditë historike”.
“Për vite me radhë, vendet e pasura nuk kanë paguar pjesën e tyre të drejtë për inovacionin mjekësor. Kjo bëri që amerikanët të mbartnin peshën më të madhe të kostove”, tha ai.
Marrëveshja është pjesë e agjendës së Shtëpisë së Bardhë për të arritur çmime të barabarta me ato të vendeve të tjera të zhvilluara.
Në maj, Trump kishte firmosur një urdhër ekzekutiv për të detyruar kompanitë farmaceutike të ulnin çmimet, duke paralajmëruar kufizime të ashpra në fitimet nga Medicare nëse ato nuk bashkëpunonin.
Trump paralajmëroi gjithashtu se nga e mërkura, 1 tetor, SHBA-të do të vendosin tarifa 100% mbi çdo produkt farmaceutik që prodhohet jashtë vendit. Megjithatë, Pfizer ka afat 3 vite, për të zhvendosur prodhimin e barnave për tregun amerikan brenda SHBA-ve.
Sipas administratës, marrëveshje të tjera me kompani të mëdha farmaceutike pritet të bëhen publike në vjeshtë.
Ende nuk janë bërë publike çmimet konkrete të barnave, ndërsa faqja “TrumpRx” pritet të vihet në funksion në fillim të vitit 2026.