Ndryshon skema e tarifave për shërbimin e përmbarimit gjyqësor shtetëror.
Ministria e Drejtësisë dhe Financave në një udhëzim të përbashkët të botuar në Fletoren Zyrtare miratuan ndryshimin e tarifave për shërbimin e përmbarimit gjyqësor shtetëror .
Disa nga tarifat e reja janë më të më të larta se skema e tarifave shtetërore të miratuar me udhëzimin e mëparshëm të 2017-s. Me ndryshimet e miratuara skema e tarifave të shërbimit përmbarimor shtetëror barazohen me ato të shërbimit privat të miratuara në 2018.
Udhëzimi i ri përcakton tarifa fikse në lekë të shërbimit përmbarimor nga vlera e detyrimit prej 1 lekë deri në 500 mijë lekë. Tarifa fikse që paguhet për shërbimin përmbarimor shtetëror do të variojë nga 6 mijë lekë deri në 30 mijë lekë. Tarifa fikse do të jetë në nivele të njëjta me tarifa e shërbimit privat.
Tarifat e mëparshme fikse në lekë varionin nga 7 mijë deri në 15 mijë lekë për ekzekutim titujsh përmbarimor me vlera nga 1 deri 500 mijë lekë. Krahasuar me tarifat e mëparshme shtetërore tarifa fikse maksimale në vlerë është dyfishuar.
Udhëzimi ndryshon edhe tarifën fikse përmbarimore në %, sipas vlerave të detyrimit. Për detyrimet nga 500,001 deri në 2,000,000 lekë do të jetë 5.5% Nga 2,000,001 deri në 5,000,000 lekë do të jetë 3,85%. Nga 5,000,001 deri në 10,000,000 lekë tarifa fikse do të jetë 2.75%. për detyrimin nga 10,000,001 deri në 30,000,000 do të jetë 2.2% e vlerës. Për detyrimin nga 30,000,000 deri 90,000,000 tarifa do të jetë 1.65% e vlerës.
Ndryshimet e rrisin tarifën fikse, që niste për vlera nga 500,001 deri në 20,000,000 lekë në 4.5%. Me ndryshimet për detyrimin deri në 2,000,000 lekë tarifa fikse arrin deri në 5.5%.
Ndërsa ulet tarifa fikse për përmbaruesin shtetëror për ekzekutimin e titujve me vlera nga 30,000,001 deri në 90,000,000 lekë. Me udhëzimin e mëparshëm paguhej tarife përmbarimore deri 2.5%. Me ndryshimet tarifa e re do të jetë 1.65%.
Për detyrimin mbi 90 mln lekë tarifa fikse për këtë shumë do të jetë 1.1%, por jo më shumë se vlera minimale prej 1,485,000 lekë dhe maksimumi prej 2,500,000 lekë nga 2% që ishte më parë, por jo më shumë se 5,000,000 lekë.
Kategoritë që përjashtohen nga tarifa fikse
Nga pagesat fikse të shërbimit përmbarimor janë të përjashtuar disa kategori.
Sipas udhëzimit përjashtohen nga parapagimi i tarifës fikse të shërbimit përmbarimor: a) subjekte përfituese të ndihmës juridike të garantuar nga shteti sipas ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” ose që përjashtohen nga pagesa e një tarife shtetërore, për shkak të paaftësisë paguese; b) subjekti që paraqet për ekzekutim një vendim gjyqësor, i cili ka vendosur mbi të drejtat civile në procesin penal; c) pala kreditore që paraqet për ekzekutim një vendim përfundimtar të gjykatës administrative, që ka marrë formë të prerë ose vendim për sigurimin e padisë, sipas legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative; ç) organet e administratës shtetërore përjashtohen nga detyrimi për parapagimin e tarifave për vënien në ekzekutim të vendimeve për kundërvajtjet administrative.
Sa variojnë tarifat për shërbimin përmbarimor në privat
Tarifat e shërbimit përmbarimor privat pësuan rritje në vitin 2017 deri 30% nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe Financave, anëtarë të kabinetit të qeverisë teknike të emëruar para zgjedhjeve parlamentare të 2017-s.
Pas kundërshtive dhe debateve të shkaktuara tarifat u ulën në 2018 nëpërmjet një tjetër udhëzimi të përbashkët të miratuar, duke shfuqizuar tarifat e mëparshme.
Krahasuar me vendimin e mëparshëm të qershorit 2017, tarifat ulen për të gjitha vlerat e detyrimit. Nëse më parë tarifa fikse niste nga 15 mijë lekë, tashmë ajo nis nga 6 mijë lekë dhe rritet në bazë të vlerës së detyrimit. Për vlerën e detyrimit nga 1 deri 500 mijë lekë për shërbimin privat aplikohet tarifë fikse nga 6,000 deri 30 mijë lekë.
Ndërkohë, zbritje ka edhe për tarifat fikse që aplikohen si përqindje mbi vlerën e detyrimit.
Në udhëzimin e vitit 2017 për detyrimin mbi 90,000,000 lekë paguhej tarifa sa 3 %, por jo më shumë se 15 milionë lekë. Ndryshimet e miratuara në 2018 e ulin tarifën fikse për këtë shumë në 1.1%, por jo më shumë se vlera minimale prej 1,485,000 lekë dhe maksimumi prej 2,500,000 lekë.
Si ndryshojnë tarifat e shërbimit përmbarimor shtetëror
Ishin më udhëzimin e 2017
Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar si kthim shume dhe/ose pagim detyrimi, përllogaritet si më poshtë:
Nga 1 – 100,000 lekë – 7,000 lekë
Nga 100,001- 300,000 lekë – 11,000 lekë
Nga 300,001 – 500,000 lekë – 15,000 lekë
Nga 500 001 – 2000 000 lekë – 4.5%
Nga 2 000 001 -5000 000 lekë- 4%
Nga 5 000 001 – 10 000 000 lekë- 3.5%
Nga 10 000 001 – 30 000 000 lekë- 3 %
Nga 30 000 001 – 90 000 000 lekë- 2.5%
Mbi 90 000 000 – 2%, por jo më shumë se 5 milionë lekё
Bëhen me udhëzimin e 2025
Tabela e tarifave fikse përmbarimore në lek, sipas vlerave të detyrimit:
Vlera e detyrimit (lekë) Tarifa fikse (lekë)
1 – 10,000 6,000
10,001 – 20,000 7,000
20,001 – 30,000 8,000
30,001 – 40,000 9,000
40,001 – 50,000 10,000
50,001 – 60,000 11,000
60,001 – 70,000 12,000
70,001 – 80,000 13,000
80,001 – 90,000 14,000
90,001 – 100,000 15,000
100,001 – 150,000 17,000
150,001 – 200,000 18,000
200,001 – 250,000 20,000
250,001 – 300,000 22,000
300,001 – 350,000 24,000
350,001 – 400,000 26,000
400,001 – 450,000 28,000
450,001 – 500,000 30,000
Vlera e detyrimit (lekë) Tarifa fikse (në përqindje) mbi vlerën e detyrimit
500,001 – 2,000,000 5.5%
2,000,001 – 5,000,000 3.85%
5,000,001 – 10,000,000 2.75%
10,000,001 – 30,000,000 2.2%
30,000,001 – 90,000,000 1.65%
Mbi 90,000,000 1.1%, me minimum 1,485,000 lekë dhe maksimum 2,500,000 lekë
Udhëzimi i plotë
LLOJET E VEPRIMEVE PËRMBARIMORE TË TARIFUARA DHE MASAT E TARIFËS FIKSE TË SHËRBIMEVE PËRMBARIMORE
Masa e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar si kthim shume dhe/ose pagim detyrimi, përllogaritet si më poshtë: a) Tabela e tarifave fikse përmbarimore në lek, sipas vlerave të detyrimit:
Masa e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim jomonetar dhe të pa vlerësueshëm, përllogaritet në varësi të objektit të ekzekutimit si më poshtë:
a) për reklamimin e një sendi të luajtshëm ose të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) për lirimin dhe vënien në posedim të një sendi të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 2 pagave bazë minimale mujore, kur sendi nuk ka një vlerë monetare të përcaktuar për çmimin e shitjes sipas të dhënave nga regjistri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, apo sipas vlerësimit të një eksperti të pavarur të caktuar nga gjykata dhe/ose përmbaruesi gjyqësor. Në rast se sendi i paluajtshëm ka një vlerë referuese për çmimin e shitjes së tij sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës apo sipas vlerësimit të ekspertit, atëherë tarifa fikse përllogaritet në përqindje mbi vlerën e sendit, sipas tabelës së treguar në pikën 1 të këtij kreu;
c) për vënien në posedim të sendit të luajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, kur sendi nuk ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes. Në rast se sendi i luajtshëm ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes në dokumentacionin e regjistruar apo ka një vlerë të përcaktuar për të cilën ky send është regjistruar si barrë siguruese, atëherë tarifa fikse do të përllogaritet në përqindje sipas tabelës së parashikuar në pikën 1 të këtij kreu;
ç) për marrjen e fëmijës dhe lejimin e së drejtës së vizitës, masa e tarifës fikse përllogaritet në masën 5,000 lekë, ndërsa tarifa fikse që lidhet me ekzekutimin e masës së detyrimit ushqimor është zero lekë;
d) për organizimin dhe shitjen e sendit në ankand, masa e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë minimale në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
dh) për zbatimin e një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv me objekt të pa vlerësueshëm, nëpërmjet të cilit debitori duhet të përmbushë një detyrim të caktuar jo monetar, masa e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 page bazë në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave
Masa e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv është vendim i gjykatës për sigurimin e padisë, përllogaritet si më poshtë: a) nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është deri në 500,000 lekë, tarifa është 1/4 e pagës bazë minimale mujore; b) nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 500,000 lekë deri në 2,000,000 lekë, tarifa është 1/2 e pagës bazë minimale mujore; c) nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 2,000,000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 1 pagë bazë minimale mujore;
ç) nëse vendimi për sigurimin e një padie përmban një detyrim jomonetar ose vlera e padisë nuk është e përcaktuar, tarifa e subjektit përmbarimor është një shumë e barabartë me 1/3 e pagës bazë minimale mujore. 4. Tarifa për ekzekutimin e titujve ekzekutivë me objekt “gjobë penale”, “gjobë administrative” dhe “shpenzime procedurale” është: a) për vlerën deri në 100.000 lekë, tarifa është 10%; b) për vlerën mbi 100.000 lekë, tarifa është 5%. 5. Tarifa fikse e përllogaritur, sipas pikave 1, 2, 3 dhe 4 të këtij kreu, parapaguhet nga kreditori në llogarinë bankare të Zyrës Përmbarimore Gjyqësore në momentin e nënshkrimit të kontratës së shërbimit përmbarimor prej subjektit përmbarues dhe në fund të ekzekutimit i ngarkohet debitorit ose personave të barazuar me të. 6. Tarifa fikse e përllogaritur sipas pikave 1, 2, 3 dhe 4, të këtij kreu, paguhet nga debitori apo personi i barazuar me të pas ekzekutimit tërësor të detyrimit që përmban titulli ekzekutiv ose në proporcion me vlerën e detyrimit të ekzekutuar. 7. Tarifa për ekzekutimin e titujve ekzekutivë sipas pikave 1, 2, 3 dhe 4, të këtij kreu, në çdo rast nuk mund të jetë më e madhe se 2,500,000 lekë, pavarësisht vlerës së detyrimit. 8. Për të gjitha tarifat e parashikuara nga ky udhëzim zbatohet vlera përkatëse e TVSH-së.
III. RASTET E PËRJASHTIMIT NGA PARAPAGIMI I TARIFËS PËR KATEGORI TË CAKTUARA 1. Përjashtohen nga parapagimi i tarifës fikse të shërbimit përmbarimor: a) subjekte përfituese të ndihmës juridike të garantuar nga shteti sipas ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” ose që përjashtohen nga pagesa e një tarife shtetërore, për shkak të paaftësisë paguese; b) subjekti që paraqet për ekzekutim një vendim gjyqësor, i cili ka vendosur mbi të drejtat civile në procesin penal; c) pala kreditore që paraqet për ekzekutim një vendim përfundimtar të gjykatës administrative, që ka marrë formë të prerë ose vendim për sigurimin e padisë, sipas legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative; ç) organet e administratës shtetërore përjashtohen nga detyrimi për parapagimin e tarifave për vënien në ekzekutim të vendimeve për kundërvajtjet administrative