Nga Halil Teodori
Zbulimi i varrit monumental në Strikçan të Dibrës ka zgjuar interes dhe debat të gjerë, jo vetëm mes arkeologëve dhe historianëve, por edhe në opinionin publik. Ky varr, i cili i përket epokës romake dhe daton ndërmjet shek. II–IV pas Krishtit, për nga përmasat dhe arkitektura është i pari i këtij lloji i zbuluar në Shqipëri, duke e kthyer këtë ngjarje në një moment të rëndësishëm për trashëgiminë tonë arkeologjike.
Me përmasa 9 x 6 metra dhe me një dhomë varrimi 2.4 metra të lartë, varri është ndërtuar me blloqe masive guri dhe ndahet në tri pjesë: shkallë monumentale, korridor hyrës dhe dhomë varrimi. Muret e shkallëve janë zbukuruar me dekorime gjeometrike prej llaçi, një element që tregon kujdes estetik e përkushtim artizanal të kohës. Edhe pse i plaçkitur në lashtësi, në dhomën e varrimit janë gjetur gjurmë objektesh funerare: enë qelqi, krehëra kockash, thika dhe fragmente pëlhure të endura me fije ari. Ky inventar i çmuar dëshmon për statusin e lartë të të ndjerit dhe për rëndësinë që i jepej jetës së përtejme në kulturën iliro-romake.
Por vlera e këtij varri nuk është vetëm arkeologjike.
Kjo na lidh me një dëshmi të rëndësishme historike: sipas akademikut Kristo Frashëri, në librin “Historia e Dibrës”, (faqe 76), në këtë trevë ka ekzistuar një mbretëri e quajtur Teodori, e cila shtrihet nga fundi i shekullit I deri në fillim të shekullit III pas Krishtit. Ky fakt përforcohet edhe nga dokumente osmane të regjistruara më vonë, ku përmendet Liu ose Luiz Teodori me banim mbi fshatin Zerqan (faqe 460). Gjithashtu emri TEODORI, është shume më i hershem se kaq. 460? – 380 p.e.s. pasi (w.a.h. page T 634) e cilson Teodorin si nje nga filozofet me te medhenje te Matematikes. në DARDANI.
Kjo e vendos gjetjen në një kuadër më të gjerë të historisë së mbretërive ilire në kufijtë e ndikimit romak.
Teodori dhe kontinuiteti i qytetërimeve
Figura e Teodorit nuk është vetëm një emër i skalitur në një mbishkrim varri. Ajo lidhet me një vazhdimësi të traditës ilire, të mbështetur mbi kultin e paraardhësve dhe mbi kujdesin për trashëgiminë shpirtërore të brezave. Në traditën pellazgo-ilire, varret dhe tempujt kishin rëndësi thelbësore:
ata nuk shiheshin vetëm si vende pushimi, por si hapësira të shenjta ku shpirtrat e të vdekurve vazhdonin të jetonin mes kujtimeve, miteve dhe riteve. Muret e gdhendura, skenat e pikturuara dhe objektet funerare ishin dëshmi e një bote ku bota e të gjallëve lidhej ngushtë me atë të të përjetshmëve.
Ky kult i të parëve mbeti i fortë ndër shekuj dhe, sipas antropologëve, shpesh kishte një forcë lidhëse më të madhe se dashuria për atdheun. Te ilirët dhe romakët e lashtë, adhurimi i paraardhësve nuk ishte idhujtari, por respekt për mençurinë, përvojën dhe pasurinë shpirtërore të brezave të mëparshëm. Ky dimension e bën edhe më të kuptueshme pse një varr si ai i Strikçanit është ndërtuar me madhështi dhe pse shenjat që mbart kanë kaluar në kujtesën e brezave.
Arkitektura si gjuhë e pushtetit dhe e përjetësisë!
Varrin e Strikçanit mund ta lexojmë edhe si një shembull të zhvillimit të arkitekturës funerare në Iliri gjatë periudhës romake. Arkitektura, siç thuhet shpesh, është njëkohësisht shkencë dhe art:
shkencë sepse kërkon njohuri mbi materialet e ndërtimit, dhe art sepse krijon forma, ngjyra dhe hapësira që flasin me syrin dhe shpirtin. Varri i Strikçanit është i lidhur me këtë traditë: mure masive, hapësirë e organizuar monumentalish, dekorime që nuk janë vetëm zbukurime, por simbole të një statusi dhe besimi.
Në këtë kuadër, nuk është rastësi që në shumë qytetërime pellazgo-ilire, varret dhe tempujt shiheshin si dy anë të së njëjtës medalje: ndërtime të rënda, të qëndrueshme, që ruanin kujtesën e brezave dhe shpallnin vazhdimësinë e fuqisë së një fisi, familjeje apo mbretërie.
Strikçani, me varrin e tij monumental, na sjell para syve këtë trashëgimi, të gdhendur jo vetëm në gur, por edhe në kujtesën e kulturës.
Debati mbi romakët dhe ilirët
Pas zbulimit, pati diskutime e interpretime të ndryshme, madje edhe keqinterpretime. U tha se varri është romak dhe se i ndjeri mund të ketë qenë një romak i ardhur nga jashtë, ndoshta edhe një ish-skllav. Por përmasat, pasuria e varrit dhe simbolika e tij flasin ndryshe: kemi të bëjmë me një familje aristokrate ilire, të lidhur me pushtetin lokal, të cilët në këtë periudhë përdornin latinishten si gjuhë administrate dhe shkrimi. Duhet të kujtojmë se shkollimi i lartë në atë kohë ishte privilegj i klasave të larta, prandaj përdorimi i gjuhës latine nuk e bën automatikisht varrin “romak”, por thjesht pjesë të një realiteti ku Roma dhe Iliria kishin hyrë në një marrëdhënie simbioze.
Në fakt, Roma nuk ishte thjesht pushtuese në Iliri: ajo e përfshiu këtë hapësirë në strukturën e saj shtetërore dhe shpesh shërbeu si mbrojtëse nga pushtimet e huaja, deri në rënien e Perandorisë në shekullin V, kur filluan depërtimet sllave.
Një gur themeli i identitetit historik
Zbulimi i Strikçanit është shumë më tepër sesa një ngjarje arkeologjike. Është një kujtesë e gjallë e rrënjëve tona pellazgo-ilire, një dëshmi se kjo trevë nuk ka qenë kurrë periferi e harruar, por një qendër ku janë ndërtuar mbretëri, janë ngritur tempuj dhe janë vendosur gurë themeli të qytetërimit. Emri “Teodori” qëndron si një urë mes së kaluarës dhe së tashmes: një figurë që lidhet me historinë lokale, por edhe me kujtesën e një bote që ka dhënë kontribut filozofik, kulturor e politik në traditën evropiane.
Ky varr, me arkitekturën, mbishkrimin dhe objektet e tij, është një kapitull i çmuar i historisë sonë. Një kapitull që na fton jo vetëm të admirojmë të shkuarën, por edhe të ruajmë dhe të mbrojmë këto dëshmi që mbajnë të gjallë identitetin dhe trashëgiminë tonë.