Më 9 nëntor 2025 në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki të vendit, ndërsa debati më i madh është për Bashkinë e Tiranës. Partia Socialiste ka vendosur të garojë me kandidaturën e Ogerta Manastirliut, ndërsa opozita ende nuk ka shpallur një emër zyrtar, duke vijuar diskutimet për kandidatin.
Në lidhje me këtë situatë, kreu i LZHK-së, Dash Shehi, i ftuar në Klan News me gazetarin Drini Zeqo, u shpreh se Partia Demokratike nuk ka gjasa t’i fitojë këto zgjedhje, por opozita e bashkuar mund të ketë shanse.
“Tani, në qoftë se më thua PD-ja, nuk i fiton. Këto janë shifrat. Pyetja është: a ka shans të fitojë opozita? Po, ka. Edhe unë këtë kam thënë, mos e shpërdoroni këtë shans për sherret tuaja të brendshme, sepse më pas do të bëhet më e vështirë. Pas një viti, dy vjet e gjysmë do të jetë edhe më e vështirë, sepse populli dorëzohet. Ky nuk është populli francez, ky i yni mësohet me të keqen. Janë bërë 12 vjet, do bëhen 16. Këta u mësuan me Enver Hoxhën, shans ka opozita,” tha Shehi.
Ai theksoi se motoja politike e opozitës duhet të jetë e qartë: “Një gjë politike, si të thuash: ‘Jemi këtu për të rimarrë, për të bërë një ristart të opozitës shqiptare’. Ky duhet të jetë koncepti bazë politik.”