Partia Demokratike ka mbyllur negociatat për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, me prioritet kandidatin e Tiranës.
Edhe pse selia blu e konsideron antikushtetuese shpalljen e dekretit të presidentit për zgjedhjet në kryeqytet, për shkak se Erion Veliaj i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij, PD-ja nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Partia Mundësia i ofroi në tryezë demokratëve tre kandidatë, profile jopolitike, si Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj.
Si forca më e madhe e opozitës, Partia Demokratike do të përzgjedhë në bazë të propozimeve, megjithatë ajo ka bërë gati edhe kandidaturat e saj.
Selia blu është hermetike për të zbuluar emrat, pasi ka planifikuar që dy kandidatë të përzgjedhur prej saj të bëhen publikë në mbledhjet e forumeve. Kryesia dhe kryetarët e degëve të Tiranës janë takimet e para të planifikuara në selinë blu.
Edhe pse ende pa një kandidat të zyrtarizuar, Partia Demokratike po bëhet gati për fushatën e zgjedhjeve të parakohshme më 9 nëntor.
Burime brenda Partisë Demokratike bëjnë me dije se të premten do të niset përgatitja për fushatën fillimisht me mbledhjen e kryesisë së partisë dhe kryetarëve të degëve të PD në Tiranë.
Këto lëvizje vijnë në një kohë që prej 1 jave tre përfaqësues të PD po zhvillojnë takime me krerët e partitë të vogla opozitare.
Boci ne Top Story
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi tregoi se dhe sa kohë do t’i duhet opozitës për të zgjedhur kandidatin e tyre.
Boçi tha se opozita po ndjek një proces moral për zgjedhjen e kandidatin të saj për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.
Sakaq, nënkryetari i PD-së tregoi se negociatat po vazhdojnë dhe se brenda 2-3 ditësh opozita do të prezantojë kandidatin e saj për Tiranën.
“Së bashku me partitë e tjera opozitare po ndiqet një proces që është sa politik po aq i domosdoshëm dhe moral. Nuk është vetëm sfidë emrash, por është edhe sfidë e rëndësishme politike” – tha Boci i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” nga Grida Duma.
“Për mua kjo është edhe hyrje në fushatë sepse ka ikur disi nga qeveria dhe ka shkuar te përfaqësuesi i opozitës. Emri nuk ka rëndësi, për mua procesi dhe modeli i procesit të zgjedhjes së kandidatit nga opozita është shumë e rëndësishme dhe ky model që po ndjekim është i duhuri.”
“Jemi në negociata, por këto janë ditët kulmore. Nëse negociatat vazhdojnë në rrugën e drejtë mendoj për 2 ose 3 ditë do kemi kandidatin për bashkinë e Tiranës”, – u shpreh Luçiano Boçi.







