Një çift shqiptar është kapur teksa po trafikonte një sasi të konsiderueshme me mbi 17 kg kokainë të pastër me vlerë mbi 2 mln euro në treg.
Ndalimi erdhi pas një operacioni në shkallë të gjerë kundër grupeve kriminale në rajonin e Puljas. Policia e Barit njoftoi se bashkë me Prokurorinë nisën më 1 tetor pranë Leçes aksionin që çoi gjithashtu edhe në sekuestrimin e armëve dhe pajisjeve të paketimit të drogës.
Të arrestuarit janë një shtetas shqiptar 40-vjeçar dhe një grua 52-vjeçare, të dy banues në Altamura.
Hetimi filloi falë vëzhgimit dhe ndjekjes së kujdesshme nga hetuesit e Skuadrës së Leçes. Oficerët identifikuan një automjet të dyshimtë, që besohet se ishte i përfshirë në transportimin e drogës së destinuar për tregun vendas.
Automjeti u ndalua përgjatë autostradës SS 613, pranë Leçes , ku u krye një kontroll i plotë.
Gjatë inspektimit, oficerët zbuluan se makina ishte modifikuar me funde të dyfishta të prodhuara në mënyrë artizanale, me hapje mekanike, të fshehura nën sediljet e përparme.
Hetimi u shtri më pas në një shtëpi dhe garazh në Altamura, ku banojnë të arrestuarit. Oficerët gjetën aty një sasi të madhe narkotikësh dhe mjete të shumta të përdorura për paketimin e tyre.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në total mbi 17 kilogramë e 400 gramë kokainë, të ndarë në blloqe dhe qese të paketuara me vakum. Përveç drogës, forcat e rendit gjetën një pistoletë gjysmëautomatike të kalibrit 9×19, të kompletuar me karikatorë dhe municione.
U sekuestruan një presë metalike, një makinë paketimi me vakum dhe materiale të shumta paketimi, të gjitha mjete tipike që përdoren për paketimin e drogës për trafikim.
Nëse shitej me doza në treg, droga gjeneronte mbi 2 mln euro fitime. Dy të arrestuarit, një burrë 40-vjeçar shqiptar i njohur tashmë për forcat e rendit dhe një grua 52-vjeçare, u dërguan në mjediset përkatëse të burgjeve.