Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”. Drafti u tentua të miratohej edhe në vitin 2918, por atëherë u tërhoq pas kundërshtive të forta publike.
Ky akt i ri ligjor synon të garantojë që Shqipëria të ketë rezerva të mjaftueshme për përballimin e çdo ndërprerjeje të papritur të furnizimit me karburante, duke e vendosur vendin në një linjë të drejtpërdrejtë me standardet e Bashkimit Evropian.
Shqipëria, si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ka detyrimin të përafrojë legjislacionin kombëtar me Direktivën e Këshillit Evropian 2009/119/EC, e cila kërkon nga vendet anëtare të mbajnë rezerva minimale të naftës bruto dhe produkteve të saj.
Zbatimi i kësaj direktive duhej të kishte nisur që prej 1 janarit 2024, sipas vendimit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, ndërsa tani qeveria shqiptare po e konkretizon këtë detyrim përmes një ligji të posaçëm, që vendos bazat për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë.
90 ditë rezerva për garantimin e tregut kombëtar
Sipas projektligjit, sasia e rezervave të sigurisë që duhet të mbahen në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk mund të jetë më e vogël se 90 ditë e importeve mesatare ditore neto ose 61 ditë e konsumit të brendshëm, në varësi të cilës sasi është më e madhe.
Krijimi i rezervave do të bëhet gradualisht dhe në mënyrë proporcionale, sipas një Plani Kombëtar Veprimi, që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Rezervat do të jenë të disponueshme dhe të kontrollueshme në çdo kohë dhe nuk mund të jenë objekt i pengut, barrës hipotekore apo konfiskimit, duke ruajtur statusin e tyre si pasuri strategjike me funksion emergjent.
Ligji i ri zëvendëson modelin aktual të vitit 1999
Ligji aktual, nr. 8450 datë 14.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar, vendos gjithë barrën e mbajtjes së rezervës së sigurisë mbi industrinë — pra, mbi shoqëritë tregtare me shumicë dhe rafineritë.
Ky sistem, i konsideruar i papërshtatshëm me standardet e BE-së, do të zëvendësohet nga një model i përbashkët shtet-industri, ku do të ngrihet një Autoritet i Posaçëm për Rezervat e Sigurisë (ARS), i cili do të koordinojë krijimin, ruajtjen dhe përdorimin e rezervave kombëtare.
Autoriteti për Rezervat e Sigurisë – institucioni i ri që do të menaxhojë sistemin
Sipas nenit 9 të projektligjit, Autoriteti për Rezervat e Sigurisë (ARS) do të jetë institucioni përgjegjës për krijimin, mbajtjen dhe përdorimin e rezervave të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.
ARS do të jetë person juridik publik jofitimprurës dhe jo buxhetor, në varësi të Ministrisë përgjegjëse për energjinë, dhe do të ketë të drejtën të blejë, të magazinojë dhe të përdorë rezervat për qëllime të sigurisë energjetike.
Në raste të ndërprerjeve të furnizimit, Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës, do të vendosë për përdorimin e rezervave, sipas Planit Kombëtar të Reagimit.
Si do të financohen rezervat e sigurisë
Krijimi dhe mirëmbajtja e rezervave do të financohet përmes një tarife të posaçme, e cila do të aplikohet mbi produktet hidrokarbure që i nënshtrohen detyrimit të akcizës, sipas Ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
Tarifa do të përcaktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përveç kësaj, parashikohen edhe burime të tjera financimi si kredi të mundshme në përputhje me legjislacionin në fuqi; të ardhura nga shitja e rezervave; të ardhura nga shërbimet; si dhe burime të tjera të ligjshme.
Rezervat aktuale të sigurisë – 238 mijë ton për vitin 2025
Bazuar në urdhrat e Ministrisë së Energjisë dhe të financave, për vitin 2025, kompanitë e tregtimit me shumicë dhe rafineritë janë të detyruara të mbajnë gjithsej 238,637 ton nënprodukte të naftës, të ndara sipas kategorive si më poshtë:

Këto rezerva sigurojnë një mbrojtje bazë për tregun vendas, por sipas qeverisë, projektligji i ri do të krijojë një sistem shumë më të qëndrueshëm dhe të koordinuar me praktikat evropiane, ku përfshihen rregulla të detajuara për raportim, kontroll dhe reagim në rast krizash.
Një hap drejt pavarësisë energjetike
Krijimi i rezervave strategjike të naftës është një ndër projektet më të rëndësishme të dekadës në sektorin energjetik shqiptar.
Ky mekanizëm nuk shërben vetëm për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian, por përbën një garanci kombëtare për funksionimin e tregut dhe jetën ekonomike të vendit në situata të paparashikuara.
Me këtë ligj, Shqipëria vendos themelet për një sistem modern, të qëndrueshëm dhe të mbrojtur ndaj krizave të furnizimit energjetik, duke iu afruar më shumë modelit të vendeve të Bashkimit Evropian. /ekofin.al







