HomeAktualitetKLGJ letër Policisë dhe Ministrisë: Të shtohet numri i policëve brenda gjykatave...

KLGJ letër Policisë dhe Ministrisë: Të shtohet numri i policëve brenda gjykatave dhe në seanca. GJL thërret mbledhje me të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë

Advertismentspot_img

Sulm ndaj themeleve të drejtësisë dhe rendit kushtetues të Republikës, e konsideron Këshilli i Lartë Gjyqësor vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pas ngjarjes së rëndë, në vijim të një mbledhjeje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë në gjykata, KLGJ-ja i ka kërkuar Policisë së Shtetit shtimin e punonjësve në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.

Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtetërore në varësi të Ministrisë së Brendshme,
” arsyeton KLGJ-ja.

Në njoftimin për shtyp, Këshilli i Lartë Gjyqësor zbuloi edhe korrespondencën me Policinë, e cila nga ana e saj është përgjigjur se për shkak të personelit të kufizuar policor, e ka të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave edhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Pas kësaj përgjigjeje, KLGJ-ja i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.

Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike”, thuhet në letrën e KLGJ-së, ndërsa apelohet për reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar për të mos pasur raste të përsëritura të ngjarjes së një dite më parë.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ishte gjatë ditës në Gjykatën e Apelit. I pyetur nga gazetarët për masat e sigurisë në gjykata, ai nuk pranoi të japë komente, duke thënë se nuk kishte asgjë për të thënë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular