Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, ka njoftuar këtë të martë se kandidati i tyre për listën në komunën e Likovës është sulmuar nga persona të maskuar dhe ka mbetur i plagosur.
Sipas mediave të shtetit fqinj, kandidati i plagosur është mjeku pulmolog Zekirja Shaini. Ai thuhet se është goditur nga të paktën tre plumba në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetën. Sipas dëshmitarëve okularë, sulmuesi akoma nuk është identitfikuar pasi në vendin e ngjarjes është parë me maskë.
Në reagimin e parë pas ngjarjes, BDI e drejtuar nga Ali Ahmeti, thotë se e dënon ngjarjen duke e quajtur “akt barbar dhune” dhe kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë dhe të veprojnë për arrestimin e autorit.
“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati.“, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Mes të tjerash, BDI thotë se në shenjë solidariteti me të plagosurin partia do të pezullojë të gjitha aktivitetet e ditës.
“U bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë, simpatizantëve dhe qytetarëve në përgjithësi që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë. Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme, ndërsa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e besimit publik dhe sigurisë në terren.”, vazhdon më tej njoftimi.







