Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” përmbylli një nga nismat më të rëndësishme të tij, me përurimin e vëllimit të XI dhe njëherazi të fundit të kolanës “Vepra e zgjedhur e Mid’hat Frashërit”.
Në hapje të aktivitetit, drejtori i Institutit, Uran Butka, theksoi se me këtë botim mbyllet një punë shumëvjeçare hulumtimesh, përzgjedhjesh dhe redaktimesh, që ka pasur si synim të sjellë për publikun figurën e plotë të Mid’hat Frashërit , shkrimtarit, studiuesit, diplomatëve dhe ideologut të Rilindjes Kombëtare.
Sipas Butkës, ky vëllim i fundit përbën kurorëzimin e kolanës, duke përfshirë materiale të rralla, dokumente arkivore, letra, ese dhe reflektime që hedhin dritë mbi mendimin politik dhe kulturor të autorit.
“Është një festë që më në fund shqiptarëve ju rikthehet Mid’hat Frashërit me veprën e tij”, u shpreh Uran Butka.
Kolana “Vepra e zgjedhur e Mid’hat Frashërit”, e përbërë nga njëmbëdhjetë vëllime, ka sjellë në vite krijimtarinë e gjerë të një prej figurave më të ndritura të historisë dhe mendimit shqiptar, si edhe ka nxjerrë në pah figurën e tij shumë dimensionale.
Mid’hat Frashëri i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo, ishte një nga figurat qendrore të kulturës shqiptare në fillim të shekullit XX. Ai dha kontribut të çmuar si përkthyes, shkrimtar, studiues dhe politikan, duke u renditur në radhën e mendimtarëve që i dhanë formë identitetit modern shqiptar. /rtsh.al/







