Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 26 milionë euro për studentët. Ajo ka miratuar ndarjen e nga 100 eurove për të gjithë studentët, gjithashtu edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ekzekutimin e 100 eurove për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret me fillimin e vitit të ri akademik.
Këto mjete pritet të kenë kosto rreth 6 milionë euro.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete do të sigurohen nga Programi i Ringjalljes Ekonomike.
“Siç e theksuat kemi të bëjmë me ndarjen e 100 eurove për studentët që plotësojnë kriteret, ngjashëm siç kanë qenë masat gjatë viteve të mëparshme, dhe ky veprim parashihet të ketë koston rreth 6 milionë euro që pritet të sigurohen nga Pako e Ringjalljes Ekonomike”, tha Murati.
Ministri theksoi se për formën e aplikimit dhe datat e ekzekutimit do të njoftohen në vijim.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përveç ndarjes së 100 eurove, studentët që janë në nivelin bachelor do të përfitojnë edhe bursën për mobilitet.
“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetaret. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai.
Qeveria ka ndarë një milion euro për zbatimin e masës 3.4 të pakos së ringjalljes ekonomike – kuponë ushqimi për familjet në nevojë.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se synimi është që të arrijnë edhe te këto familje “ngjashëm siç kemi bërë në ditët e kaluara.. e sidomos tash që është stina e dimrit e mund të ketë nevojë”.
“Është programi që subvencionon faturën të gjitha ato familje që të ardhurat mesatare për anëtar të familjes i ka 150 euro në muaj. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur mbi 80 mijë familje përfituese. Të njëjtat nuk kanë nevojë të aplikojnë”.
Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për ndarjen e buxhetit shtesë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve ushqimore.
“Është tejet e nevojshme që të përmbyllet ky proces për këtë vit akademik. Si qeveri jemi munduar që në vazhdimësi të arrijmë te secila familje. Megjithatë mekanizmat shtetëror janë të kufizuar se sa familje mund t’i prekim. Kësisoj kemi bërë edhe ndarjen e shumës prej 1 milionë eurove. Edhe këtë vit do të vazhdoj programi i njëjtën programi zbatohet për muajt e stinës së dimrit. Kësisoj nga tetori deri në mars. Edhe kjo masë është tejet e nevojshme dhe mbështet një numër të madh të familjeve në mënyrë që sadopak të lehtësohet barra”.