HomeOP EDE vërteta flet me kohën, dhe koha thotë gjithmonë të vërtetën! Nga...

E vërteta flet me kohën, dhe koha thotë gjithmonë të vërtetën! Nga Arian Galdini

Advertismentspot_img

Nga Arian Galdini
Në politikë, mashtrimi ka shpejtësinë e dritës, por e vërteta ka peshën e yjeve.

Ajo ecën ngadalë, por kur mbërrin, ndriçon gjithçka.

Unë e kam thënë çdo ditë këto pesë vite, dhe pak kush deshi ta besojë, se të ashtuquajturat “forca të reja”, “lëvizjet antisistem”, “zërat qytetarë”, nuk ishin lindje të ndërgjegjes, por klone të laboratorëve të pushtetit.

Sot, koha po flet.

Dhe ajo që dukej metaforë, është bërë fakt.

Surrogatët e sistemit

Në vitin 2020, kur unë nisa LRE, me një celular, një faqe Facebooku dhe asgjë tjetër,

regjimi nisi menjëherë kundërpërgjigjen e tij biologjike, prodhimin e antitrupave politikë.

Ky është mekanizmi më i përkryer i mbijetesës së sistemit shqiptar, kur ndjen rrezik nga një ide e pastër që nuk kontrollohet dot, ai nuk e lufton, e imiton.

Kështu lindin “liderët antisistem”, të cilët s’kanë ardhur për ta përmbysur sistemin,

por për t’i paraprirë përmbysjes së mundshme.

Janë klone morale që imitojnë shpresën për ta shuar.

Janë surrogatë të lindur nga sqetullat e pushtetit, të fryrë me oksigjenin e mediave,

të paguar nga fondet e nëndheshme të politikës, të ushqyer me vëmendjen që mohohet ndaj kujtdo që s’është i kontrolluar.

Mekanizmi i “antitrupit të sistemit”

Kjo doktrinë e vjetër e mbijetesës politike funksionon me saktësi biologjike:

Faza e parë, lindja e moralit artificial:

Sistemi shpall “një lëvizje të re” me fytyra që duken idealiste, të pa korruptuara, qytetare.

Publiku sheh imazhin e vet në to dhe beson.

Faza e dytë, përthithja e besimit publik:

Këta figura futen në çdo studio televizive, në çdo emision, në çdo portal.

Të gjithë kanë fonde, konsulentë, grafika, reklama, PR, sondazhe.

Kritikohen nga pushteti me kujdes, por kurrë nuk ndëshkohen.

Asnjëherë nuk përballen me hetime, pengesa, apo kosto reale.

Sepse janë produktet e tij mbrojtëse.

Faza e tretë, bashkimi i komanduar:

Në momentin e krizës, kur opozita duhet të lindë, ata “bashkohen për të mirën e Shqipërisë.”

Por bashkimi i tyre është bashkimi i kloneve me krijuesin.

Një “unitet moral” që mbyll çdo hapësirë reale ndryshimi.

Kështu, sistemi nuk lufton për mbijetesë, por riprodhohet përmes surrogatëve të vet.

Laboratori i pushtetit

Kjo është skema që Rama dhe Berisha kanë ndërtuar pa kurrfarë marrëveshjeje të shkruar, sepse kanë të njëjtën nevojë, mbijetesën e sistemit bipolar.

Rama kontrollon pushtetin real, financat, median, administratën.

Berisha kontrollon emocionin opozitar, nostalgjinë, moralin e përjashtuar.

Në mes, si ura që lidhin të dy brigjet e një lumi të ndotur, qëndrojnë “të rinjtë moralë”, Adriatik Lapaj, Endri Shabani, Agron Shehaj, etj, që duhej të shërbenin si fytyra e “ndryshimit të mundshëm”, por që përfunduan si maskë e ndryshimit të pamundur.

Berisha, mjeshtër i boshllëkut

Berisha nuk ofron më ide, ai përthith boshllëk.

Nuk afrohet te askush, por pret që të gjithë të bien brenda tij.

Ai nuk i lufton të rinjtë, i fton nën hijen e “lirisë”, ku drita ndriçon vetëm fytyrën e tij.

Lapaj kërkoi audiencë, Shabani kërkoi oksigjen, Shehaj kërkoi prani, Hasimja kërkoi dritë, dhe të gjithë përfunduan në të njëjtën spirale.

Në politikën shqiptare, kush afrohet me Berishën, nuk bashkëpunon, përthithet.

Egërsia e butë dhe “shpëtimtari i butë”

Berisha s’i shau kurrë.

Ai i lavdëroi.

Dhe përmes lavdërimit, i pushtoi.

Sepse mënyra më e sofistikuar për ta mbyllur gojën e një kundërshtari, është t’i japësh mikrofonin që e bën pjesë të spektaklit tënd.

Florjan Binaj është produkti perfekt i këtij spektakli, pasi ai qartësisht nuk është kandidat, por instrument psikologjik.

Një aktor që publiku e do, por nuk e pyet.

Një figurë që bashkon të gjithë, sepse s’kërcënon askënd.

Ky është kulmi i zgjuarsisë së sistemit, të asgjësojë opozitën duke e shndërruar në shfaqje.

Doktrina e klonimit moral

Regjimi krijoi “antisistemin” e vet për ta përdorur si vaksinë kundër ndryshimit.

Çdo parti e re që u shfaq nga 2020 deri më 2023 – 2024 ishte reaksion kimik ndaj ekzistencës së LRE.

LRE ishte gabimi që s’duhej të ndodhte, një ide e pastër, e lindur jashtë kontrollit.

Unë nuk u luftova me argument, por me harresë.

Sepse harresa është mënyra moderne për të vrarë idetë.

Në vend që të më përballnin, më zhdukën nga ekrani.

Në vend që të më kundërshtonin, më klonuan.

Krijuan “KopjeGaldinë” të tjerë, me fjalor të butë, me moral artificial, me frymë të rreme.

Krijuan LRE-të e rreme, që jetonin për aq sa duhej për të më zëvendësuar.

Loja e fundit, bashkimi i kloneve nën flamurin e krijuesit

Kjo që po ndodh sot me Binajn nuk është surprizë, por finalja e laboratorit.

Tani që surrogatët janë integruar plotësisht në trupin e sistemit, ata po bashkohen nën flamurin e atij që i krijoi.

Lapaj zëvendëson Jenisherin.

Agron Shehaj zëvendëson Kujtim Gjuzin.

Dr. Endri Shabani zë vendin e Prof. Pëllump Pilincit.

Sepse vetëm këta mund të zëvendësojnë ata.

Fatmir Mediut nuk kanë shanse tia zënë vendin, as Nard Ndokës e aq më pak Ilir Metës…

Ata janë versionet estetike të groteskut që dikur e tallnim.

Sepse grotesku në Shqipëri nuk zhduket, evoluon.

E vërteta si proces, jo si skandal

Unë nuk e them këtë me mllef, por me qartësi.

Koha nuk më ka dhënë hak, por më ka dhënë dëshmi.

Sepse e vërteta s’është shpërthim, është proces.

Dhe procesi tani ka mbërritur në pikën e tij të pjekurisë, të gjithë “të rinjtë” e sistemit po kthehen në pasqyra të krijuesve të tyre.

Rama ka pushtetin.

Berisha ka nostalgjinë.

Kloniet kanë audiencën.

Por askush s’ka më moralin.

Dhe pikërisht aty lind nevoja e re, origjinali që nuk pranoi të klonohej.

Koha si gjykatë e së vërtetës

Koha flet gjithmonë ngadalë, por kurrë s’gënjen.

Sot ajo po tregon se unë kisha të drejtë, kur thoja e këmbëngulja e ripërsërisja se të gjitha partitë e reja që u shfaqën pas 2020-s ishin surrogato për të penguar lindjen e një lëvizjeje reale.

Por historia ka një ritëm që askush s’e kontrollon.

Pas çdo vale surrogato, lind një valë ndërgjegjeje.

Dhe ajo ndërgjegje nuk lind në studio, por në vetmi.

Në heshtje, në përjashtim, në mohim.

Aty ku lind e vërteta.

Aty ku isha unë.

Sot, çdo maskë ka rënë.

Ata që e quanin veten “antisistem” janë bërë aleatët estetikë të sistemit.

Të gjithë janë bashkuar në një fotografi që e shesin si bashkim moral, por që është në të vërtetë funerali i opozitës së re.

Unë nuk jam në atë fotografi.

Sepse nuk e ndjej nevojën të dukem për t’u dëgjuar.

Sepse koha po flet.

Dhe ajo thotë gjithmonë të vërtetën.

Dhe e vërteta është kjo, Berisha s’i bleu ata tani, i kishte blerë e i mbante stok para se të lindnin.

Dhe çdo surrogat plaket më shpejt se origjinali.

Në fund, mbetet vetëm një dritë që nuk shuhet, ajo e origjinalit që nuk pranoi të bëhej klon.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular