Gianni Infantino po e viziton Kosovën për herë të dytë, pas vizitës së tij të parë në shtator 2022, kur ishte takuar me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Kosova u pranua në FIFA vetëm pak muaj pasi Infantino u zgjodh për herë të parë president i saj, në fillim të vitit 2016.
Prej pranimit në organin qeverisës së futbollit botëror, Federata e Futbollit e Kosovës pranon ndihmë financiare prej saj çdo vit përmes programeve për ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të grave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale.
Nëntë vjet pas pranimit në FIFA, Kosova është ende në kërkim të kualifikimit për një garë të madhe ndërkombëtare, siç është Kupa e Botës apo Kampionati Evropian.
Ajo tani po lufton për një vend në Kupën e Botës 2026 – që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe do të përballet me Slloveninë në kualifikime të premten, dy ditë pas vizitës së Infantinos, informon Radio Evropa e Lirë.
Kosova është në vendin e dytë në Grupin B kualifikues me tre pikë pas dy ndeshjeve, prapa lideres, Zvicrës, që i ka gjashtë.