Që prej 12 tetorit, të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në vendet e BE-së nuk do të vulosin pasaportat në pikat e kalimit kufitar. Shefi i Sektorit Politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Andre Rizzo, thotë se ky sistem i ri hyrje-dalje do të përfshijë të gjitha të dhënat e tjera biometrike, shenjat e gishtërinjve dhe atë të fytyrës. Këto të dhëna do të jepen vetëm një herë dhe jo sa herë që udhëton.
“Që nga 12 tetori do të hyjë në fuqi sistemi i hyrje-daljeve. Ky është në thelb një sistem digjital i avancuar, një sistem menaxhimi kufitar që do të zbatohet për gjithë shtetasit jo të BE-së që hyjnë në zonën Shengen. Pra, kjo do të thotë që një shtetasi shqiptar që hyn në zonën Shengen pas datës 12 tetor ndoshta do t’i kërkohet të japë disa të dhëna. Kjo do të thotë të dhënat në dokumentin e udhëtimit, të dhënat biometrike për shembull, imazhi i fytyrës apo gjurmët e gishtërinjve, si dhe data e hyrjes ose daljes në zonën Shengen. Ky do të jetë një zbatim gradual i sistemit, kështu që një shtetas shqiptar mund ta hasë atë në fazën e parë ose në një fazë të mëvonshme. Kjo ndryshon në varësi të aeroporteve në zonën Shengen. Marrja e të dhënave biometrike do të bëhet vetëm një herë, kështu që një person, të dhënat e të cilit janë mbledhur, nuk do të ketë nevojë ta bëjë përsëri sa herë që hyn në zonën Shengen”.
Ky sistem i ri hyrje-dalje nga vendet e Bashkimit Evropian nuk do të ketë asnjë kosto financiare për shtetasit shqiptarë, përveç kohës më të madhe që do të duhet në fazën e parë për marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fytyrës.
“Jo, nuk do të ketë pagesë, nuk do të ketë asnjë kosto fare, kështu që ky është vetëm një mjet, një sistem me anë të të cilit do të mblidhen të dhënat. Udhëtarët mund të përjetojnë disa vonesa të vogla në hyrje në fillim, sepse do të zbatohet ngadalë për gjashtë muajt e ardhshëm. Pasi të merren të dhënat tuaja, nuk do të keni nevojë t’i jepni përsëri ato, sepse sistemi, herën e dytë që hyni në zonën Shengen, do të njohë që i keni regjistruar tashmë të dhënat tuaja dhe thjesht do të verifikojë që të dhënat janë aty, kështu që nuk do të keni nevojë ta bëni përsëri”.
Gjithsesi, rregullat e qëndrimit në zonën e BE-së nuk do të ndryshojnë.
“Rregullat mbeten ashtu siç janë. Një shtetas shqiptar do të ketë të drejtën e një qëndrimi 90-ditor brenda një periudhe 180-ditore. Pra, nuk ka kosto, asnjë ndryshim. Gjithçka mbetet ashtu siç është”.
Ky vendim i ri synon të frenojë emigracionin e paligjshëm, si dhe falsifikimet biometrike.
“Arsyeja kryesore e këtij ndryshimi është që të kemi një sistem shumë më efikas menaxhimi të kufijve. Gjithashtu, do të jetë shumë i rëndësishëm për sa i përket të dhënave më të besueshme mbi kalimet kufitare të personave që hyjnë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, do të jetë një sistem që do të ndihmojë në parandalimin e migrimit të parregullt, parandalimin e tejkalimit të vizave dhe gjithashtu do të mund të zbulojë falsifikimin e dokumenteve, ose edhe lloje të tjera të kërcënimeve të sigurisë”.
Sipas përfaqësuesve të Zyrës së BE-së në Tiranë, sistemi i ri i pasaportave pa vula në kufi është në kuadër të përmirësimit dhe modernizimit të gjithë sistemit, duke u mundësuar udhëtarëve një kalim më të shpejtë të kufijve.